Institucionet shëndetësore në Komunën e Podujevës po vazhdojnë të jenë në qendër të vëmendjes, pasi që në to tashmë qentë kanë filluar të krijojnë “strehën” e tyre, shkruan Llapi.info.

Pas videos e cila qarkulloi nëpër medie gjatë ditës së djeshme, ku shihej “llava” e qenve nëpër Spitalin e Përgjithshëm të Podujevës, Llapi.info ka siguruar edhe një video tjetër, të realizuar pak muaj më parë.

Sipas qytetarit, i cili edhe i ka dërguar pamjet në adresë të portalit, qeni ka qëndruar për shumë kohë me komoditet nën ulëset e parapara për pacientë.

Sipas tij, askush nuk ka ndërhyrë që ta largojë atë, në këtë Spital, aty ku niveli i pastërtisë duhet të jetë në nivelin më të lartë.

Po ashtu, pas publikimet të pamjeve, kanë filluar reagimet se prania e qenve në këto objekte është tejet shqetësuese.

Për praninë e qenve endacakë në Podujevë është debatuar edhe në seancën e fundit në Kuvendin Komunal. Këtë çështje e ka ngritur këshilltarja e VV-së, Doruntinë Hasani.

“Pyetje e dytë ka të bëjë me qentë endacakë që po sillen që qendër të Podujevës, çështje për të cilën besojë që nuk është dashur të priten ankesa dhe reagime sepse po shihen nga secili çdo herë. Prandaj, kur jemi në dijeni se jemi duke shkuar në sezonën e cila është e ftohtë, për shkak edhe të ushqimit mund të bëhen edhe më agresivë”, ka potencuar Hasani./Llapi.info