Një aksident trafiku ka ndodhur sot rreth orës 13:30 në rrugën “Xhemajl Mustafa” në Podujevë, raporton Llapi.info.
Në këtë aksident kanë qenë të përfshira dy automjete, ku për pasojë kanë mbetur të lënduar gjashtë persona. Rastin për Llapi.info e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti.
“Rreth orës 13:00 në rrugën “Xhemajl Mustafa” në Podujevë, ka ndodhur një aksident trafiku ku të përfshira kanë qenë dy automjete. Në këtë aksident janë lënduar gjashtë persona. Të njëjtit janë dërguar për tretman mjekësor. Me rastin po merret njësiti i trafikut”, ka thënë Ahmeti.
Siç mëson Llapi.info, deri tek ky aksident ka ardhur pasi një vajzë ka pësuar lëndime në kokë nga një dërrasë që i ka rënë nga erërat e forta që kanë goditur vendin. Nga plagët e marra, familjarët e kanë nisur për tretman mjekësor, por vetura në të cilën gjendej vajza ka pësuar aksident gjatë rrugës, duke u ndeshur me një automjet tjetër.
Ndërkaq, në 24-orët e fundit, sipas statistikave të Policisë së Kosovës, në nivel vendi kanë ndodhur 36 aksidente, 11 prej tyre kanë rezultuar me persona të lënduar./Llapi.info