Kanë filluar të hiqen disa nga drunjtë në rrugën e qendrës në Podujevë, në pjesën ku janë duke vazhduar punimet për ndërtimin e Bulevardit të Dëshmorëve, raporton Llapi.info.

Pikërisht për këtë çështje edhe është mbajtur debat publik me qytetarë në Komunën e Podujevës. Qytetarët shprehën qëndrime të ndryshme se çfarë të bëhet me drunjtë, në këtë debat të mbajtur javë më parë.

Disa kërkuan të hiqen të gjithë dhe të zëvendësohen me drunj të rinj, ndërsa të tjerë mendojnë se duhet të ruhen dhe të lihen ata që nuk janë të dëmtuar.

Rizah Muçolli, zyrtar për mjedis, në këtë debat shtoi se kanë marrë shumë kërkesa nga qytetarët, ku sipas tij, disa kërkojnë të hiqen të gjithë, disa mendojnë të lihen.

“Kanë dalë dy kërkesa, të hiqen dhe të lihen. Komuna ka formuar një komision. Nga vlerësimi i bërë, 76 drunj duhet të hiqen, kurse 58 mund të qëndrojnë por jo shumë gjatë. Ka disa faktorë që kanë ndikuar në dëmtimin e tyre, si: krasitje të rralla, kripëra për shkrirje të borës, hapja e kanaleve e ndërtim të pusetave. Ka dy opsione; i pari të hiqen të gjithë dhe i dyti 76 drunj të hiqen dhe 58 të mbeten. Këta 58 mundemi me i lanë, por do të dëmtohen nga punimet”, ka thënë Muçolli.

Edhe afaristët që operojnë në rrugën e qendrës në këtë komunë, shprehën mendime të ndryshme. Bajram Murati kërkoi që hiqen vetëm ata drunj që janë dëmtuar.

Por, si janë dëmtuar drunjtë në qendër të Podujevës që dhuronin pamje gjelbëruese?

Zyrtarë të mjedisit fajtorë kryesorë kanë bërë përgjegjësit për krasitjen e tyre, siç ka thënë ai, pa asnjë kriter dhe kripërat për shkrirjen e borës në kohë dimri.

Kështu ka thënë inxhinieri i pylltarisë, Naser Krasniqi. Ky i fundit duke përmendur faktorët që kanë ndikuar në dëmtimin e drunjve, ka deklaruar se ata duhet të zëvendësohen me të rinj.

“Drunjtë janë dëmtuar dhe ka të tillë që s’kontribuojnë më. Kanë dëmtime në rrënjë dhe në trup”, pati thënë ai.

E në pjesën ku edhe ka nisur ndërtimi i sheshit, tashmë kanë nisur të hiqen drunjtë./Llapi.info