Ditët e punës janë më të ngarkuara për trafikun në qytetet e Kosovës, e sidomos në kryeqytet.
E veturat të cilat qarkullojnë janë nga më të ndryshmet, por ato që vijnë nga familja e Volkswagenit mbeten më të preferuara për kosovarët.
Dikur kishin qenë Golf 2-shat, më pas 4-shat, e tani sipas njohësve të veturave, Golf 6-shi ka arritur një numër më të madh të përdorimit.
Shpejtim Slishani, i cili përfaqëson një biznes të autosallonit, thotë se GOLF 6 është mjaft i kërkuar nga vozitësit.
E arsyet që i shtyjnë ata të kenë interesimin për këtë lloj të veturës janë të shumta. Ata thotë se ka shumë përparësi duke filluar nga kosto, pajisjet lira dhe të lehta për t’u gjetur e shumë të tjera, raporton KTV.
E dashamirët e veturave, tash e sa kohë i bashkon një grup në Facebook, i njohur si “Marakli t’kerreve”.
Në këtë grup diskutohet për gjitha llojet e veturave, e kur dikush heziton për blerjen e ndonjë veture, “maraklitë” shprehin mendimet për veturat më të përshtatshme për vozitje.
Valon Mehmeti nga ky grup thotë se në këtë komunitet më së shumti përmenden veturat që janë prodhim i Volkswagenit.
Ai tregon se kosovarët nuk po i largohen traditës për përdorimin e Golfave.
Ngjashëm thonë edhe qytetarët që veturat të cilat kursejnë më shumë dhe kanë një kosto më të ulët, ata i zgjedhin për vozitje.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike (MPBAP) thonë se kompania gjermane e veturave VW, e cila është marka më e shitur e Volswagen Group, ka më së shumti përdorues në Kosovë.
Rreth 128 mijë ekzemplarë të automjeteve të VW-së janë në Kosovë.
Prodhuesit gjermanë mbeten përsëri më të kërkuarit në Kosovë për vetura, e së fundmi po shihet edhe një rritje e kërkesës nga prodhuesit francezë.