Në sheshin “Ibrahim Rugova” në Prishtinë është zhvilluar marshi me moton “Mos ma kufizo lëvizjen” që kishte për qëllim vetëdijesimin e shoqërisë për mungesën e infrastrukturës në Kosovë për personat me aftësi të kufizuara.

Në një fjalë rasti, Kryeministri Albin Kurti ka thënë se zyrat e Qeverisë do të jenë gjithmonë të hapura për personat me nevoja të veçanta, njofton Klan Kosova.

“Është e domosdoshme që ata të cilët i kanë nevojat më të madha të ndihmohen më së shumti. Bëhet fjalë për njerëz me nevoja të veçanta të shoqërisë sonë të cilët e kanë jetën më të vështire dhe ne si pjesëtarë të të njëjtit shtet do të duhet që ta dëshmojmë solidaritetin”.

“Në botë kemi pafund rase ku njerëz me karrocë i kanë dhënë dije dhe lidership botës. Dy prej këtyre shembujve janë shkencëtari Stephen Haëking dhe ish-Presidenti amerikan, Franklin Roosevelt”.

“Në mesin e gjërave që ka thënë Roosevelt është: Njerëzit nuk janë robër të fatit të tyre, por të mendjes së tyre”.

“E dimë se ekziston një strategji e organizatës Handikos për vitin 2018-2022 dhe një tjetër e shtetit për vitin 2018-2020. Ne duhet t’i marrim rezultatet e këtyre strategjive dhe të analizojmë se çfarë ka shkuar mirë dhe çfarë ka munguar në mënyrë që ta kemi një planifikim që i ka parasysh objektivat dhe përvojën e juaj jetësore”.

“Edhe në Kuvend edhe në Qeveri do ta keni jo vetëm fizikisht, por edhe politikisht atë shtegun e pjerrët pa pengesë që ua mundëson të vini tek zyrat tona që do të jenë të hapura gjithmonë për ju”.