Në seancën e rregullt të mbajtur sot në Kuvendin e Komunës së Podujevës, dy këshilltarë të rinj kanë dhënë betimin, njofton Llapi.info.

Nga Lëvizja Vetëvendosje, Pajtim Balaj ka zëvendësuar ish-shefin e Grupit të këshilltarëve të kësaj partie Fitim Hazirin, i cili sot ka dhënë betimin si deputet në Kuvendin e Kosovës. Balaj në zgjedhjet e fundit lokale pati konkurruar me numër 8 duke i grumbulluar 306 vota.

Ndërsa, Mimoza Stublla-Abdullahu nga Partia Demokratike e Kosovës e ka zëvendësuar këshilltaren e deritashme të kësaj partie Floretë Zejnullahu, e cila po ashtu është zgjedhur deputete në Kuvendin e Kosovës nga radhët e PDK-së. Stubulla në zgjedhjet e 2017-ës i kishte grumbulluar 191 vota.

Betimin përpara asamblesë komunale të dy kandidatët e kanë bërë në praninë e kryesuesit të Kuvendit, Fatmir Gashi./Llapi.info