Ish-shefi i Grupit të Këshilltarëve të LDK-së në Kuvendin e Podujevës, Avni Fetahu, në seancën e mbajtur sot përpara asamblesë ka deklaruar se tani e tutje do të jetë pjesë e partisë më të madhe opozitare në këtë Komunë, Lëvizjes Vetëvendosje, raporton Llapi.info.

Këtë vendim Fetahu thotë se mori pas pakënaqësisë së përgjithshme të qytetarëve me partinë në pushtet, LDK-në.

“Nga sot do të jem pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, duke e falënderuar subjektin që deri më tani kam qenë për korrektësinë dhe kontributin që e kemi dhënë bashkë në të mirë të qytetarëve. Nga sot jam në VV, këtë vendim e kam marrë vetëdijshëm si rezultat i pakënaqësisë së përgjithshme të qytetarëve jo vetëm të interesit personal. Në asnjë formë s’do të tolerojë që vendimi im për me dal në LVV të përdorët si interes personal për të marrë pozita, për arsye se jeni dëshmitarë ju si kryesues dhe disa shokë të mi që mua më janë ofruar pozita për pushtet, mirëpo në politikë s’kam hyrë për pushtet, por të jem i dinjitetshem para qytetarëve. Në të njëjtën kohë, subjektin e VV-së e kam dëshmitar që asnjë pozitë s’e kemi diskutuar me ta, por jemi për ndryshimin në të mirë të qytetarëve”, është shprehur Fetahu.

“Jam i vetëdijshëm që këtë diskutim e kam zhvilluar këto ditë së paku deri në 900 persona përmes rrjeteve sociale. Të jeni të bindur që 90 për qind prej tyre më kanë mbështetur dhe e kanë falënderuar këtë vendim timin, kurse vetëm 10 për qind prej tyre më kanë kritikuar fort bile se s’jam dalë më herët te subjekti i Lëvizjes Vetëvendosje. Përndryshe, në politikë kam hyrë dinjitetshëm dhe sa të kem ymër dinjitetshëm kam për të dalë prej politike”, ka thënë Fetahu.

E pas fjalimit, kryesuesi i Kuvendit të Podujevës, Fatmir Gashi i uroi punë të mbarë Fetahut në subjektin e ri politik.

Ndërkohë, në mbledhjen e mbajtur sot, është miratuar Plani e punës së Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) për vitin 2020./Llapi.info