Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka marr pjesë në hapjen e fushatës së Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Podujevës, njofton Llapi.info.
Kurti, duke bërë thirrje që të votohet Shpejtim Bulliqi, ka thënë se Llapi meriton më shumë dhe më mirë. Ai ka thënë se ndryshimi për këtë nuk është vetëm i nevojshëm, por edhe i domosdoshëm.
Kryeministri i vendit e ka quajtur të pakuptimtë që siç ka thënë ai, të pritet gjashtë vjet për pesë kilometra rrugë.
“Pas 20 vjetësh, më në fund ndryshoi Qeveria qendrore, e tash pas 20 vitesh erdhi dita që të ndryshoi edhe Besiana. Programi ynë i Besianës i takon së ardhmes. Edukim i lidhur me tregun e punës për të garuar në një ekonomi globale. Ekonomi që prodhon dhe punëson. Shëndetësi që s’e len askënd në mëshirë të fatit. Infrastrukturë që na ndihmon të lëvizim. Sport e kulturë që na bënë krenarë dhe gjitha këto janë të mundura me profesor Shpejtim Bulliqin. Do e ndihmojmë shëndetësinë, e do e përmirësojmë arsimin. Por, gjithashtu do e rimëkëmbin infrastrukturën, nuk ka kuptim që për pesë kilometra rrugë të pritet gjashtë vjet. Llapi meriton më shumë dhe më mirë, dhe ndryshimi për këtë nuk vetëm i nevojshëm, por edhe i domosdoshëm. Prandaj, të dielën e 15 marsit, votojeni numrin 12, votojeni Shpejtim Bulliqin. Besiana, Podujeva, Llapi këta tre emra të njëjtit vend, e kanë një emër si shpëtim për vetën, e kanë një emër të ndryshimit. Lëvizni shpejt me Shpejtimin dhe me siguri do të përparoni si krejt Kosova me Qeverinë tonë”, ka thënë Kurti.
Zgjedhjet në Komunën e Podujevës mbahen me 15 mars 2020, ku garojnë tre kandidatë. Këto zgjedhje vijnë pasi ish-kryetari Agim Veliu mori postin e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike./Llapi.info