Kur kanë mbetur vetëm edhe pak ditë që qytetarët me të drejtë vote në komunën e Podujevës t’u drejtohen kutive të votimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në fazën finale të përgatitjeve të këtij procesi zgjedhor.
Për këtë qëllim, gjatë ditës së sotme ky institucion ka vazhduar me akreditimin e vëzhguesve të tjerë të cilët do të mund të vëzhgojnë procesin e votimit në vendvotime, këtë të diele.
Vetëm gjatë kësaj mbledhjeje, KQZ-ja akreditoi 877 vëzhgues të tjerë të cilët u takojnë subjekteve politike garuese, mediave si dhe organizatave jo-qeveritare vendore dhe ndërkombëtare.
Sipas shifrave të KQZ-së, deri më tani numri i përgjithshëm i vëzhguesve të akredituar është: 1 mijë e 487 vëzhgues.
Subjektet politike dhe OJQ-të kanë pasur afat të aplikojnë deri më 10 mars, ndërsa afati për aplikim të medieve përfundon nesër, raporton EO.
Sipas KQZ-së vetëm vëzhguesit e akredituar mund të përcjellin procesin zgjedhor në vendvotime në ditën e zgjedhjeve dhe procedurat tjera në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.