Këshilli i Drejtorëve të Komunës së Podujevës ka mbajtur takim, në të cilin është analizuar situata e krijuar, masat dhe aktivitetet që po ndërmerren, për parandalimin e COVID-19 (Coronavirusit), njofton kumtesa komunale, transmeton Llapi.info.

Në përputhje me vendimin Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndërmarrjen e masave preventive, pas shpalljes pandemi të COVID-19 ( Coronavirusit), nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, ka mbajtur sot takimin e Këshillit të Drejtorëve, ku është analizuar situata në komunë dhe masat që janë ndërmarrë dhe do të ndërmerren për parandalimin e këtij virusi.

Në takimin, ku ishte e pranishme edhe Dr. Bedrie Rama – epidemiologe, u tha se Komuna po ndërmerr të gjitha masat e nevojshme preventive ndaj COVID-19 (Coronavirusit), veçmas pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve arsimore deri më 27 mars.

Në kuadër të aktiviteteve të deritashme preventive, Komuna e Podujevës i është përgjigjur të gjitha rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës dhe përmes Drejtorisë së Shëndetësisë dhe QKMF-së ka aktivizuar punktin shëndetësor në pikën kufitare në Merdar gjatë 24 orëve me katër ekipe mjekësore, të cilat janë pajisur me mjetet e nevojshme dhe material mbrojtës.

Komuna tashmë ka bërë dezinfektimin e hapësirave në objektin e administratës komunale, në institucionet shëndetësore dhe në të gjitha objektet shkollore dhe institucionet e tjera publike.
Në takim u vendos që konform vendimit për ndërmarrjen e masave preventive, me procedurë të përshpejtuar të sigurohen materialet e nevojshme higjienike dhe farmaceutike, për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe punonjësve nëpër institucionet publike. Këto institucione do të pajisen me mjete mbrojtëse dhe material dezinfektues.

Po ashtu u kërkua që sipas vendimit të Qeverisë të gjitha aktivitetet publike dhe jopublike të mbyllura do të mbahen pa praninë e publikut, deri në një vendim tjetër.

Ndërsa inspektorët komunalë do të përkujdesen që të ndalohet veprimtaria e klubeve restoranteve, klubeve të natës, palestrave pishinave, pas orës 23:00.

Situata e krijuar, me shpalljen e pandemi të COVID-19 (Coronavirusit), ka bërë që qytetarët të krijojnë rezerva të artikujve ushqimor e të higjienës. Sipas informacioneve, një gjë e tillë po keqpërdoret nga tregtarë, të cilët kanë ngritur çmimet e artikujve nëpër markete.

Ftojmë qytetarët që rastet e tilla t’i denoncojnë në Administratën Tatimore të Kosovës, duke thirrur në numrin pa pagesë 0800 80 800, ose në numrin 038 222 165 (thirrja në këtë numër është me pagesë)./Llapi.info

Image may contain: one or more people and outdoor
Image may contain: one or more people
Image may contain: one or more people, people standing, shoes and indoor