Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, ka thënë se zgjedhjet do të mbahen dhe se siç ka thënë ai nuk ndonjë rrezik, njofton Llapi.info.
Në një konferencë për medie, Ramadani ka deklaruar se të gjitha masat janë ndërmarrë, duke theksuar se distanca mes votuesve do të jetë dy metra larg njëri-tjetrit.
“Procedurat e zgjedhjeve në Podujevë kanë qenë të parapara më herët dhe kanë mundur të ndërpriten në çdo moment po që se do të ekzistonte rreziku i përhapjes së sëmundjes COVID – 19. Asnjë indikator deri sot nuk ka paralajmëruar se nesër në Podujevë ka rrezik eventual për shfaqjen e sëmundjes. Kjo nënkupton se të gjitha masat janë ndërmarrë, KQZ-së i janë dërguar udhëzuesit se si duhet të mbrohen dhe se dje dy rastet e para pozitive kanë dalë në orët e pasdites. Të dielën i kemi dhënë rekomandimet KQZ-së se në çdo vendvotim (në shkolla ku ka hapësira të mëdha), ku s’ka ndonjë rrezik, ku të gjithë votuesit në Podujevë të jenë në distancë dy metra larg njëri-tjetrit, pa shkaktuar grumbullim të madh, ne garantojmë se s’ka përhapje të infeksionit”, ka thënë Ramadani.
Po ashtu, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka bërë të ditur sot se zgjedhjet në Podujevë do të mbahen, pavarësisht se dy raste janë konfirmuar në Kosovë me koronavirus.
Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka, ka thënë se zgjedhjet do të mbahen, pasi nuk kanë ndonjë rekomandim tjetër nga Instituti i Shëndetit Publik.
“Në emër të KQZ-së kam komunikuar me të gjitha institucionet relevante dhe meqë nga IKShPK nuk ka ndryshim të rekomandimit, ne vazhdojmë sipas planit operacional. I lus ata që do të jenë në vendvotim t’i përmbahen ta gjitha masave. Qytetarët i inkurajoj që të mos bëjnë tollovi dhe t’i përmbahen rekomandimeve të qeverisë”, ka thënë Daka./Llapi.info