Pas paraqitjes së rastit të parë me koronavirus, Komuna e Podujevës ka vendosur masa të reja, raporton Llapi.info.
Me këtë rast, për qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik, Komuna ka bërë reduktimin esencial të stafit dhe orarit të punës, por që sipas njoftimit, duke mundësuar përmbushjen e kërkesave të qytetarëve.
Sipas vendimit të zyrës së kryetarit, të gjitha subjektet afariste ushqimore, dyqanet dhe marketet që operojnë në Komunën e Podujevës, orari i punës do të jetë nga ora 08:00 deri në ora 20:00.
“Në takimin e Këshillit të Drejtorëve, nënkryetari, Nexhmi Rudari, informoi ekzekutivin për gjendjen e krijuar dhe masat që po ndërmerren, konform gjendjes së krijuar dhe duke pasur parasysh vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për shpalljen e emergjencës për shëndetin publik, si pasojë e pandemisë COVID 19. Nënkryetari Rudari informoi ekzekutivin edhe për takimin e mbajtur sot të Komisionit komunal për veprime dhe masave parandaluese e mbrojtëse nga COVID 19. Ekzekutivi i Komunës mori vendim që të reduktohet orari i punës për punëtorët e administratës komunale. Kështu që nga data 16.03.2020 orari i punës për adminstratën komunale do të jetë prej 08 deri në 13:00. Njëkohësisht administrata komunale do të ofrojë shërbime të reduktuara për qytetarë.
Ekzekutivi i Komunës mori vendim që të gjitha dyqanet dhe marketet ushqimore, që operojnë në territorin e komunës së Podujevës, të punojnë me orar të ri të punës gjatë kësaj periudhe, prej orës 08:0 deri në orën 20:00. Ndërsa ofrimi i shërbimeve të konsumatorëve të bëhet duke respektuar masat e marra nga Qeveria e Kosovës, me theks te reduktimi sa më i madh i frekuentimit (hyrjes së dhe qëndrimit të konsumatorëve brenda objekteve tregtare)”, thuhet në njoftim e Komunës.
Numri i të prekurve nga koronavirusi në Kosovë ka arritur në 13. Zonat e prekura janë Vitia, Malisheva, Podujeva dhe Klina.
I prekuri me koronavirus në Podujevë është nga fshati Dumnicë, fshat ky i cili me vendim të Qeverisë është vendosur në karantinë./Llapi.info