Vjedhjet po vazhdojnë të jenë dukuri mjaft shqetësuese edhe për qytetarët e Komunës së Podujevës, shkruan Llapi.info.
E rastet kur ato po janë të rënda nuk po mungojnë. Një i tillë ka ndodhur të premten mbrëma në këtë qytet. Lajmin e ka bërë të ditur sot Policia e Kosovës në raportin e saj ditor.
“Ankuesi mashkull K ka raportuar se person-a të panjohur me forcë kanë depërtuar në brendinë e shtëpisë së tij dhe nga aty kanë vjedhur : dy pushkë me leje përkatëse, para kesh dhe një sasi stoli ari. Rasti është duke u hetuar”, thotë PK.
Pa dhënë detaje tjera, rasti në Policinë e Kosovës është klasifikuar në kategorinë e incidenteve kriminale, kurse i njëjti është cilësuar si “vjedhje e rëndë”.
Ndërkohë, duhet potencuar se vetëm përgjatë vitit 2019, në qytetin e Podujevës kishin ndodhur 361 raste të raportuara për vjedhje. Prej tyre, 199 kanë qenë të rënda, kurse janë arrestuar vetëm 12 persona./Llapi.info