Sot ka filluar të zbatohet vendimi i fundit i Qeverisë së Kosovës, vendim ky që ndalon lëvizjen nga ora 10:00 -16:00 dhe 20:00 deri në ora 06:00, shkruan Llapi.info.

E këtij vendimi duket se i ka bindur edhe qytetarët llapjanë. Kjo pasi që në rrugët kryesore të qytetit nuk shihen qytetarët dhe as vetura në frekuentim.

Në fotot e realizuara nga Llapi.info shihet se edhe rruga e qendrës “Zahir Pajaziti”, siç ka qenë gjithmonë e frekuentuar, sonte qëndron në heshtje.

Në lidhje me masat e vendosura, Qeveria e Kosovës ka thënë se ato janë masa të reja shtesë në luftën për parandalimin e virusit COVID-19.

Me vendimin e Qeverisë së Kosovës, që nga data 24 mars e vitit 2020, thuhet se ndalohet qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve private prej orës 10:00 e deri në orën 16:00, si dhe prej orës 20:00 e deri në orën 06:00.

Në orët kur mundësohet lëvizja në rrugë, më shumë se dy persona nuk do të lejohet të lëvizin së bashku dhe gjithmonë duke mbajtur distancën dy metra me të tjerët.

Ndryshe, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kundërshtuar masat e vendosura nga qeveria për kufizimin e lirisë së lëvizjes dhe qarkullimit, pa u shpallur gjendja e jashtëzakonshme, por qytetarët kanë filluar t’u përmbahen vendimeve të Qeverisë së Kosovës.

Duhet potencuar se numri i të infektuarve me koronavirus në Kosovë ka shkuar në 63, ndërsa tri raste kanë qenë nga Komuna e Podujevës./Llapi.info