Sot janë kthyer për në shtëpi të tyre dy personat e prekur me koronavirus nga fshati Dumnicë i Podujevës.
62 vjecari nga Podujeva mbrëmë ka rezultuar negativ në testin e dytë për koronavirus, kështu duke e bërë personin e parë të shëruar nga Covid19.
Këtë e ka konfirmuar për Insajderin, Infektologu Valbon Krasniqi.
“Personi i parë në Kosovë i shëruar nga koronavirusi është personi që sot është liruar nga Klinika Infektive dhe është nga Podujeva”, ka thënë Krasniqi.
E për këtë lajm të mirë, kishte njoftuar edhe vetë, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
“Më në fund e kemi lajmin e mirë. Njëri nga pacientët edhe pas testimit të dytë ka dalur NEGATIV. Sipas rekomandimeve të OBSh kur kemi dy mostra negative të një personi me një ditē distancë kohore, tregojnë shërimin nga COVID-19. Zyrtarisht kemi personin e parë të shëruar nga COVID-19 në Republikën e Kosovës”, kishte shkruar Vitia.
Edhe motra e tij nga fshati Bradash i Podujevës është lëshuar sot nga Klinika Infektive pasi gjendja e saj është e mirë dhe stabile.
Kështu ka bërë të ditur për Insajderin, epidemiologia nga QKMF Podujevë, Bedrie Rama, e cila tha se pacientia pas një javë do të kontrollohet prap për të parë nesë është shëruar plotësisht.
“Po sot janë lëshuar dy persona, janë vëlla dhe motër nga fshati Dumnicë i Podujevës, 62 vjecari është shëruar plotësishtë, kurse motra e tij do të vizitohet pas një javë edhe një herë për të paër rezultat përfundimtare, nëse edhe ajo është shëruar plotësisht”, ka thënë Rama për Insajderin.
Këta janë edhe personat e parë që kishin rezultuar pozitivë me Covid19 nga komuna e Podujevës.