Sot janë bërë 21 vjet nga masakra në familjen Bogujevci dhe Duriqi në Podujevë, ku paramilitarët serbë shuan 14 anëtarë civilë, shkruan Llapi.info.

Masakra ndodhi katër ditë pas fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s ndaj Serbisë, të cilat zgjatën 11 javë. Ishte 28 Marsi i 99-ës, kur njësiti i Ministrisë së Brendshme të Serbisë “Shkorpionët”, kishte mësyrë Podujevën. Në këtë ditë 14 anëtarë të familjes Bogujevci e Duriqi u masakruan në një kopsht në Podujevë nga pjesëtarët e kësaj njësie paramilitare serbe. Të pamëshirshëm ndaj kujtdo, pjesëtarë të këtij njësiti nuk kishin kursyer as fëmijët e gratë.

Viktima më e re ishte dy vjeçe.14 anëtarë të familjeve Bogujevci e Duriqi, shtatë fëmijë të moshës prej 2 deri 15 vjeç dhe shtatë gra, ishin ekzekutuar. Shpëtim Bogujevci (10), Shpend Bogujevci (13), Sale Bogujevci (39), Nora Bogujevci (15), Shefkat Bogujevci (43), Shehide Bogujevci (67), Nefise Bogujevci Llugaliu (54), Fezdrije Llugaliu (21), Dafina Duriqi (9), Arbera Duriqi (7), Mimoza Duriqi (4), Albion Duriqi (2), Fitnete Duriqi (36) dhe Isma Duriqi (69), ishin vrarë.

Pushkatimin e mbijetuan me plagë të rënda pesë fëmijë: Saranda, Fatosi, Jehona, Liria dhe Genc Bogujevci. Saranda u mbijetoi 16 plumbave për të treguar aktin makabër të bërë nga barbarët serbë.

Për krimet dhe gjenocidin mbi familjen e saj, Saranda nuk u ndal asnjëherë duke kërkuar që dorasit të dënohen. Ajo mbajti edhe ekspozitë në mes të Serbisë, në Qendrën Kulturore në Beograd ku përballë Ivica Daçiq shpalosi krimet e bëra nga Millosheviq.

Bogujevci e lindur më 12 qershor 1985 në Podujevë, ka diplomuar në Universitetin e Mançesterit ne Britani. Ajo u kthye në Kosovë në vitin 2014 për të drejtuar departamentin e kulturës në komunën e Prishtinës, ndërsa tani është deputete e Kuvendit të Kosovës./Llapi.info