Nën organizimin e Shoqatës së Bletarëve”Llapi” në Podujevë dhe me mbështetje të Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, u mbajt një punëtori me bletarët llapjanë, ku ishte e pranishme edhe kryetarja e Shoqatës së Bletarëve të Republikës së Shqipërisë, Lejla Shehu dhe ekspertë të kësaj lëmie nga Shqipëria.

Nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari ka thënë se i kanë ndihmuar bletarët me paisje teknike dhe shoqëri bletësh.

“në vitin 2013 kemi ndarë 225 shoqëri bletësh, në vitin 2014 kemi ndarë 300 shoqëri bletësh, kurse për vitin 2015 kemi planifikuar të ndajmë 1000 shoqëri bletësh” ka shtuar Rudari.

Sipas Rudarit qëllimi është që përmes këtyre projekteve të zbutet papunësia, sidomos në pjesët rurale ku familjet përmes kësaj veprimtarie mund të sigurojnë të ardhura plotësuese.

Më tej, Nënkryetari Rudari tha se numri i shoqërive të bletëve në Komunën e Podujevës ka shënuar rritje nga viti 2012 kur ishin 2100 shoqëri bletësh, në vitin 2014 janë evidentuar 4,470 shoqëri bletësh, kurse në vitin 2015 janë gjithsej 5,470 shoqëri.

Kryetarja e Shoqatës së Bletarëve të Republikës së Shqipërisë, Lejla Shehu, në këtë takim foli për shtrirjen e kësaj veprimtarie në Shqipëri.

Debatin lidhur me temat me interes e hapi Raif Muqolli, Kryetar i shoqatës së Bletarëve”Llapi” duk shpalosur sfidat me të cilat ballafaqohet Bletaria tek ne. Nga aspekti profesional foli edhe Pëllumb Aleksi nga Fakulteti i Bujqësisë në Tiranë.

Pjesëmarrësit e tryezës vizituam edhe bletarin Ismajl nga Turuçica, një fermer në fushën e bletarisë./llapi.info