Foto: Llapi.info

Kuvendi i Komunës së Podujevës ka mbajtur sot mbledhje të jashtëzakonshme në teatrin e qytetit “Avdush Hasani”, lidhur me masat për parandalimin e koronavirusit, raporton Llapi.info.

Me këtë rast, kuvendarët e Komunës së  Podujevës i kanë miratuar tri propozimvendime, me anë të së cilave, i kanë ndarë 125 mijë euro për ndihmë qytetarëve në nevojë, lirimin nga taksat komunale të gjitha bizneset për vitin 2020 dhe po ashtu lirimin nga qiraja për ato biznese që e ushtrojnë veprimtarinë në prona komunale.

Këto propozime i ka shpalosur nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari. Sipas tij, deri më tani Komuna ka ndarë 237 mijë euro.

 “Për menaxhimin e situatës dhe ndërmarrjen e masave preventive ndaj COVID-19, deri tani Komuna ka ndarë  237,000  euro”, ka thënë Rudari, duke potencuar se deri tani janë ndarë 133,000 euro në sigurimin e mjeteve mbrojtës për personelin shëndetësor, ndërsa për dezinfektimin e objekteve dhe hapësirave publike si dhe shtëpive në fshatrat ku janë paraqitur rastet me të infektuar, janë ndarë 94 mijë euro nga buxheti i Komunës.

“Me shumë e mjeteve të propozuar për miratim sot, prej 125. 000 euro, shuma e përgjithshme e mjeteve të ndara deri tash nga Komuna për menaxhimin e kësaj situate do ta arrijë shifrën prej 362,000 euro”, ka theksuar Rudari.

Në anën tjetër, shefi i grupit të këshilltarëve të VV-së, Vendenis Lahu, ka propozuar që shumës prej 125 mijë euro t’i shtohen edhe 25 mijë të tjera.

“Grupi i këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosje propozon shumën prej 150,000.00 euro, duke ju rikujtuar se ju si ekzekutiv nuk e keni shfrytëzuar mundësinë nga niveli qeveritar i cili ka lejuar bartjen e mjeteve nga komuna deri në 5 % të vlerës së investimeve kapitale, siç kanë vepruar disa komuna tjera, por të gjitha ato mjete i keni paraparë prej burimi i të hyrave vetanake përmes drejtorive, sepse pasi të kalojë pandemia ne duhet të jemi këtu, që t’ju dalim në ndihmë edhe fermerëve, edhe njerëzve të kulturës e qytetarëve pa dallim”, ka thënë Lahu.

Ndërsa sa i përket taksës propozim vendimit për heqjen e taksës komunale për të gjitha subjektet afariste që ushtrojnë veprimtari në territorin e komunës së Podujevës për vitin 2020, Lahu ka kërkuar që të kjo taksë të hiqet përgjithmonë dhe jo vetëm për këtë vit.

“Sa i përket propozim-vendimit për lirim nga pagesa e qirasë për të gjithë shfrytëzuesit e pronës Komunale për vitin 2020, mendoj që të gjitha masat qeveria i ka marrë për 2 muajt e ardhshëm, sepse pandemia nuk pritet të zgjasë më shumë dhe për çdo eventualitet ne jemi këtu. Prandaj në këtë kontekst e shoh pak të çuditshme faljen e qirave për tërë vitin kur kjo mund të bëhet fillimisht për një periudhë 3 mujore, dhe çka është më e rëndësishmja a ka të drejtë KK të shkelë kontratat e nënshkruara”, ka theksuar Lahu.

Pas diskutimeve, me shumicë të votave është miratuar vendimi për ndarjen e mjeteve financiare në shumë 125,000 euro, ndihmë qytetarëve në nevojë me pako ushqimore dhe higjienike; vendimi për lirimin nga taksa komunale e të gjitha subjekteve afariste që ushtrojnë veprimtari në territorin e Komunës së Podujevës për vitin 2020 si dhe; vendimi për lirim nga pagesa e qirasë për të gjithë shfrytëzuesit e pronës komunale për vitin 2020./Llapi.info