Koalicioni i Organizatave Joqeveritare në Kosovë, përmes një komunikate dërguar mediave ka thënë se janë duke e monitoruar në vazhdimësi mobilizimin dhe angazhimin e të gjitha komunave në Kosovë rreth situatës së krijuar nga coronavirusi.
Koalicioni i OJQ-ve, ka shprehur shqetësimin rreth asaj që e ka quajtur tendencë të partive politike për politizimin e situatës nëpër komuna, në kohën e pandemisë së coronavirusit.
“Shqetësim tjetër paraqet edhe tendenca e partive politike për politizimin e situatës për qëllime politike, sidomos në ato komuna të cilat udhëhiqen nga partitë e tyre respektive. Partitë politike duhet të mënjanojnë deklaratat politike të cilat nuk përkojnë me autonomin e institucioneve lokale dhe njëkohësisht të ofrojnë ndihmën e tyre përmes institucioneve lokale dhe mekanizmave shtesë të themeluara pas situatës emergjente shëndetësore në nivel vendi, si dhe të bëjnë thirrje qytetarëve për zbatimin e masave dhe rekomandimeve nga institucionet shëndetësore”, thuhet në komunikatë”.
Komunikata e plotë:
“Në kohën e krizës globale të shkaktuar nga pandemia COVID-19, të gjitha institucionet publike janë mobilizuar në zbatimin e masave parandaluese kundrejt eskalimit të situatës. COVID-19 ka prekur shumë komuna të Kosovës. Deri më tani, në 22 nga 38 komunat e Kosovës janë konfirmuar raste me COVID-19. Ndërkaq komuna më e prekur mbetet ajo e Malishevës me gjithsej 62 raste.
Koalicioni i OJQ-ve po e monitoron në vazhdimësi mobilizimin dhe angazhimin e të gjitha komunave në Kosovë rreth kësaj situate. Deri më tani shumica e komunave të Kosovës kanë ndarë buxhet përafërsisht dy milion euro për tu përballur me këtë situatë. Ndërsa komuna e Prishtinës, Gjilanit, Kamenicës, dhe komuna tjera janë duke shfrytëzuar buxhetin kornizë për këto raste.
Ky koalicion vëren se komunat që kanë krijuar shtabet e tyre emergjente, në baza të rregullta dhe të vazhdueshme mbajnë takime dhe komunikojnë ndërmjet tyre me qëllim të koordinimit sa më të mirë të aktiviteteve në zbatimin e masave parandaluese dhe informimin në kohë të publikut. Po ashtu është vërejtur se pothuajse të gjitha komunat, kanë bërë dezinfektimin e institucioneve publike dhe ndërtesat kolektive, ndërsa shumë komuna i kanë bërë edhe dezinfektimin e rrugëve.
Megjithatë, shqetësuese mbetet fakti i mosrespektimit të masave parandaluese për tubimet e qytetarëve nëpër hapësira të caktuara publike ose private, sidomos në zonat rurale, ku vihet në shprehje takimet dhe vizitat familjare. Këto veprime të papërgjegjshme të qytetarëve bien në kundërshtim me udhëzimet e institucioneve shëndetësore dhe masave të ndërmarra nga institucionet relevante në kohën e emergjencës shëndetësore. Komunat duhet të ndërmarrin veprime konkrete në informimin e qytetarëve se veprimet dhe sjelljet e tilla përbëjnë rrezik për përhapjen e virusit tek qytetarët përmes kontaktit dhe se veprimet e tilla janë të ndëshkueshme.
Shqetësim tjetër paraqet edhe tendenca e partive politike për politizimin e situatës për qëllime politike, sidomos në ato komuna të cilat udhëhiqen nga partitë e tyre respektive. Partitë politike duhet të mënjanojnë deklaratat politike të cilat nuk përkojnë me autonomin e institucioneve lokale dhe njëkohësisht të ofrojnë ndihmën e tyre përmes institucioneve lokale dhe mekanizmave shtesë të themeluara pas situatës emergjente shëndetësore në nivel vendi, si dhe të bëjnë thirrje qytetarëve për zbatimin e masave dhe rekomandimeve nga institucionet shëndetësore.
Si organizata të shoqërisë civile ju rekomandojmë komunave që në këtë situatë
-Të bëjnë informimin e saktë të publikut mbi gjendjen aktuale të rasteve me COVID-19 dhe përditësimin e kësaj në baza ditore
-Të koordinojnë aktivitetet me organizatat bamirëse gjatë procesit të ndarjes së pakove ushqimore për familjet në nevojë, të bëjnë këtë proces transparent dhe të mos përjashtohet asnjë familje
-Të bëjnë publike shpenzimet e mjeteve buxhetore të ndara për këto raste, në mënyrë që të largohet dyshimet për keqpërdorim të fondeve
-Të realizojnë vizita të shpeshta nëpër terren, sidomos në lagjet dhe fshatrat e prekura, si dhe të zbatojnë masa shtesë për ndalimin e tubimeve duke u koordinuar me Policinë e Kosovës”.
OJQ-të përkrahëse:
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) – Prishtinë
Asociacioni i të rinjëve për të drejtat e njeriut (YAHR) – Lipjan
Ekovizioni – Podujevë
Forumi i OJQ-ve të Kaçanikut (FOJK), Kaçanik
Iniciativa Qytetare Skenderaj (IQS), Skenderaj
Instituti për qëndrueshmëri dhe zhvillim të rinisë (ISDY) – Prizren
OJQ Fortesa – Kamenicë
OJQ Mundësia – Mitrovicë
Syri i Vizionit – Pejë
Shoqata e Intelektualve të Pavarur (SHIP) – Deçan