Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është e gatshme të ndihmojë vendin në këtë periudhë pas shkarkimit të Qeveris “Kurti”. Kështu ka deklaruar në një intervistë për “Indeksonline”, deputeti i partisë së Ramush Haradinajt, Bekë Berisha.

Madje, ai nuk e përjashton mundësinë që të futen në koalicion edhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës, për të cilën shpesh kishte kritika.

“AAK nuk ka ndonjë rol udhëheqës në zhvillimet e mëtutjeshme. Ne në shumë raste kemi treguar konstruktivitet në çështje të cilat kanë të bëjnë me jetën e qytetarëve. Kjo qeveri është e shkarkuar dhe edhe shkarkuar vazhdon të marrë vendime jo ligjore kryesisht bazuar në një inat të pa logjikshëm. Kjo qeveri e shkarkuar duhet te lirohet shpejt nga të gjitha funksionet pasi nuk ka legjitimitet për të udhëhequr me vendin. Ne nuk kemi bllokada bashkëpunuese ndaj asnjërës parti politike e cila ka për qellim zhvillimin e vendit”, ka deklaruar ai.

Më tej, Berisha foli edhe për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Ai nuk preferoi që një gjë e tillë të bëhet në këtë periudhë. Madje, deputeti nga rajoni i Dukagjinit pretendon se partia e Albin Kurtit do të pësonte rënie.

“Zgjedhjet janë demokratike dhe ne jemi të gatshëm çdo herë, sidoqoftë kjo nuk varet nga dëshira e njërës parti politike, 30 deputetë te VV nuk munde te vendosin për mandatin e 90 deputeteve tjerë të cilët i ka votuar populli. Ky vend ka nevojë për zhvillim dhe nuk besoj që zgjedhjet eventuale do te jepnin rezultat tjetër nga ai i 6 tetorit, përveç një rënie të dukshme të Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë ai.

Në fund, Berisha tha disa fjalë edhe për mocionin e mosbesimit ndaj Albin Kurtit. Ai deklaroi se rrëzimi i qeverisë “Kurti” ishte i pashmangshëm.

“Kurti në fakt u vetshkarkua duke u mundur të improvizojë një viktimizim në mes të pandemisë. Ai u dorëzua para punëve të shumta që e presin shtetin e Kosovës duke mos u brengosur fare për pandeminë e cila ishte në vend”, është shprehur ai, duke shtuar se Kurti vazhdonte të besonte që ishte opozitë.

“Fokusimi i tij ishte në veprime të vogla populliste të cilat do t’i siguronin edhe pak vota me shumë. Gaboi në prioritet e planit qeverisës në vend që të fokusohej në çështjet kryesore që ballafaqohet Kosova si dialogu me Serbinë ai i vuri vetes prioritet disa vendime të cilat edhe ashtu janë vlerësuar si joligjore. Kurti meritoj të shkarkohej për mashtrimin që i bëri këtij populli dhe qe vazhdon te jetë një mashtrues tipik”, ka thënë ai.