Mjekët e kanë duartrokitur turken 93-vjeçare, derisa po dilte nga spitali në Stamboll ku ishte trajtuar nën kujdes intensiv për dhjetë ditë, pasi ishte infektuar me coronavirus.
Alye Gunduz që u lirua nga spitali pasi u shçrua dhe kishte gjendje shumë të mirë shëndetësore, iu ka dhënë shpresë mjekëve se edhe të moshuarit mund të shërohen nga ky virus, që e ka goditur fuqishëm edhe Turqinë, transmeton Telegrafi.
“Ky është një rast premtues, sepse pacientët në këtë moshë, që kanë edhe sëmundje tjera kronike, e kanë të pamundur t’i mbijetojnë coronavirusit”, ka thënë mjeku kryesor i atij spitali, Zekayi Kutlubay.
Gunduz duke u larguar nga spitali, u duartrokit prej mjekëve
Sipas tij, dalja e pensionistes në atë moshë nga kujdesi intensiv, e shëndoshë dhe e sigurt, është një shenj e mirë jo vetëm për mjekët, por edhe për të moshuarit tjerë që janë duke kaluar nëpër këtë situatë me pandemi.
Pacientja nga qyteti Batman, që ndodhet në juglindje të Turqisë, vuante nga hipertensioni, ndërsa u shtrua në spital më 31 mars pasi kishte ethe dhe dhimbje barku.
Derisa po ndihmohej nga nipi dhe një infermier që të largohej nga spitali, ajo ka uruar që të gjithë të shërohen nga kjo sëmundje.
Turqia i ka regjistruar deri më tani 47 mijë raste me coronavirus, duke u bërë kështu një ndër dhjetë shtetet më të prekura në botë nga kjo pandemi.