Policia në Podujevë ka vazhduar në ndaljen e personave të cilët nuk i kanë respektuar masat për parandalimin e shpërndarjes së koronavirusit, raporton Llapi.info.
Kësisoj, Policia ka intervenuar në disa raste të ndara në qytet dhe fshatra të Komunës së Podujevës. Me këtë rast, 16 persona janë shoqëruar në stacion policor, pasi të njëjtit s’i kanë përfillur masat e Qeverisë së Kosovës në kohë pandemie.
“Rr. Ilir Konushefci, Podujevë 10.04.2020 – 08:20. Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar duke mos respektuar masat e ndërmarra për mbrojtje nga epidemia, është takuar duke shërbyer kafe përmes dritares së lokalit të tij. I njëjti është intervistuar dhe me venim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, ka njoftuar Policia.
“Fsh. Lluzhan, Podujevë 10.04.2020-14:00. Pas pranimit te informatës se në xhaminë e fshatit është mbajtur ceremonia e namazit të drekës ku i dyshuari mashkull kosovar nuk ka respektuar masat e ndërmarra për mbrojtje nga epidemia. I njëjti është shoqëruar në stacion policor dhe pas intervistimit, me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.
Fsh. Orllan, Podujevë 10.04.2020-18:00. Është raportuar se shtatë të dyshuar meshkuj kosovarë janë takuar në rrugë duke mos respektuar masat e ndërmarra për mbrojtje nga epidemia. Të njëjtit janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.
“Rr. Xhemajl Mustafa, Podujevë 10.04.2020-22:05. Është raportuar se shtatë të dyshuar meshkuj kosovarë janë takuar në rrugë të cilët nuk e kanë respektuar masat e ndërmarra për mbrojtje nga epidemia. Të njëjtit janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Sipas raportit të Policisë, në 24 orët e fundit, në disa nga komunat e Kosovës janë ndaluar 81 persona në 31 raste të ndryshme për mosveprim sipas dispozitave shëndetësore gjatë pandemisë COVID-19./Llapi.info