Nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se që nga fillimi i shfaqjes së pandemisë COVID-19 në vendin tonë e deri më sot janë kryer shumë pak testime.
Krasniqi përmes një postimi në Facebook ka thënë se vazhdimisht kanë bërë thirrje që numri i testimeve të rritet.
“Që nga data 8 shkurt e deri dje, më 12 prill, në Kosovë janë bërë vetëm 3256 testime. Pra, mesatarisht janë bërë vetëm 50 testime në ditë! Kjo është jashtëzakonisht pak! Me këtë ritëm është e pamundshme që të identifikohet niveli i vërtetë i prevalencës së koronavirusit në vendin tonë. Dhe për më keq, numri i testimeve ditore është rritur minimalisht dhe ende është shumë larg numrit të nevojshëm që në rastin e Kosovës, do të duhej të jetë së paku 1000 testime në ditë në këtë fazë”, ka shkruar Krasniqi.
Postimi i plotë:
Para një muaji, më 13 mars, në Kosovë u identifikuan rastet e para të personave të infektuar me COVID-19. Deri sot, janë raportuar 362 raste në gjithë vendin, 7 prej të cilave kanë përfunduar me vdekje.
Që para shfaqjes së kësaj pandemie globale edhe në Kosovë, kemi bërë thirrje të vazhdueshme për marrjen e masave preventive, disa prej të cilave u vonuan pa arsye e disa nuk u zbatuan fare. Para së gjithash, kemi kërkuar që të rritet dukshëm numri i testimeve, meqë shumica e shteteve që kishin arritur sukses në ndaljen e rritjes së numrit të rasteve, kishin bërë testime masive të qytetarëve të tyre. Këtë rekomandim e jepte edhe OBSH e edhe organizatat e tjera globale që janë në ballë të luftës kundër koronavirusit. Por, edhe këtë rekomandim të sinqertë, qeveria nuk e mori fare parasysh.
Që nga data 8 shkurt e deri dje, më 12 prill, në Kosovë janë bërë vetëm 3256 testime. Pra, mesatarisht janë bërë vetëm 50 testime në ditë! Kjo është jashtëzakonisht pak! Me këtë ritëm është e pamundshme që të identifikohet niveli i vërtetë i prevalencës së koronavirusit në vendin tonë. Dhe për më keq, numri i testimeve ditore është rritur minimalisht dhe ende është shumë larg numrit të nevojshëm që në rastin e Kosovës, do të duhej të jetë së paku 1000 testime në ditë në këtë fazë.
Sa për krahasim, të gjitha vendet e rajonit (me përjashtim të Shqipërisë që është në trend afërsisht të njejtë me Kosovën), kanë bërë dhe po bëjnë shumë më shumë testime se Kosova. Tabela e bashkëngjitur këtu, sipas burimeve zyrtare të raportuara ndërkombëtarisht deri më datën 12 prill, është dëshmia më e mirë.
Dhe siç shihet, me 1808 testime për 1 milion banorë, Kosova është vendi i parafundit në rajon. Në gjithë Evropën, pak më keq se ne janë vetëm Shqipëria, Moldavia dhe Ukraina. Asnjë shtet tjetër në tërë kontinentin tonë nuk ka bërë kaq pak testime. Andaj, është momenti i fundit që qeveria t’i jap rëndësinë primare testimeve, sepse pa testime masive nuk mund të ketë as luftë të suksesshme kundër pandemisë COVID-19.
Sikur të ishin bërë mesatarisht së paku 500 testime në ditë, pra dhjetëfish më shumë se që janë bërë, ne sot do të kishim identifikuar më shumë raste dhe mjekët e infermierët tanë do të kishin një fotografi më të qartë të shpërndarjes së koronavirusit. Mungesa e testimeve nuk mund ta zvogëlojë numrin e vërtetë të rasteve. Kështu, duke mos e ditur numrin e vërtetë të rasteve, rrezikun e shpërndarjes së koronavirusit e kemi shumë më të madh.
Punëtorët shëndetësorë kanë bërë dhe po bëjnë punë heroike në linjën e parë të luftës me armikun e padukshëm. Ata janë më të rrezikuarit në këtë luftë. Mënyra më e mirë për t’i ndihmuar ata është rritja e numrit të testimeve. Dhe kjo është përgjegjësi ekskluzive e Qeverisë dhe e Ministrisë së Shëndetësisë. Numri i testimeve është i lidhur drejtpërdrejt me efikasitetin e luftës ndaj koronavirusit, andaj asgjë nuk e arsyeton neglizhencën e qeveritarëve për këtë çështje.