Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli përmes një letre ka ftuar partitë politike ta votojnë pakon prej 320 milionë eruosh në seancën e jashtëzakonshme që do të mbahet nesër.
Ai ka thënë se Pakoja prej 179.6 milionë eurosh e miratuar nga Qeveria nuk është mjaftueshme dhe se qytetarëve dhe bizneseve u duhet më shumë mbështetje.
Gjatë ditës së sotme, nëkryetari i PDK-së, Shaqir Totaj, ka mbajtur një konferencë për media dhe nga aty ka ftuar partitë politike që ta votojnë pakon që nesër do të prezantohet para deputetëve.
“Rreziku që po na kanoset si shoqëri, në këtë kohë pandemie, është shumëdimensional, ndërsa ky është momenti kur të gjithë duhet të jemi racionalë në ballafaqimin tonë me situatën e shkaktuar nga Covid-19. Përveç brengës shëndetësore për qytetarët, shteti ynë duhet të fokusohet edhe në pasojat socio-ekonomike – të cilat mund të jenë fatale, nëse nuk ndërmerren menjëherë hapat e duhur preventivë. Tashmë ekonomia globale po rrezikohet nga një recesion i madh, shumë më i madh sesa ai i viteve ‘30. Po ashtu, çdo ditë bëhet e ditur se rritja ekonomike do të bjerë dukshëm, deri 2-4 për qind, ndërsa edhe remitencat do të ulen ndjeshëm. Institutet dhe ekspertët kompetentë që merren me çështjet ekonomike, thonë se Kosova është duke humbur mbi 10 milionë euro çdo ditë. Humbja totale deri më tash është mbi 250 milionë euro”, ka thënë Veseli në letër.
Sipas tij, shteti duhet të ndërhyjë menjëherë, pasi rrezikohet vendi i punës për 280 mijë punëtorë në sektorin privat.
“280 mijë vende të punës në sektorin privat do të rrezikohen dhe qindra ndërmarrje të mesme e të vogla do të shuhen. Prodhuesit, për shkak të tkurrjes së ekonomisë vendore dhe ndërkombëtare, do t’i humbin tregjet e domosdoshme për eksport të produkteve të tyre”, tha ai.
Qeveria, sipas Veselit, është vonë me masat ekonomike dhe ato që ka marrë janë të pamjaftueshme.
“Duke e konsideruar betejën me Covid-19 si përgjegjësi të të gjitha partive politike, duke e konsideruar përpjekjen për qëndrueshmëri ekonomike të vendit tonë si detyrë dhe imperativ, Partia Demokratike e Kosovës ka bërë propozimin e saj për pakon 320 milionë euro, me tri burime të sigurta, duke mos rrezikuar stabilitetin makro-fiskal. Prandaj, ftoj të gjitha partitë politike që më 14 prill ta bëjmë atë që qytetarët presin ta bëjmë për ta. Nuk është as koha dhe as çështja që duhet të na ndajë. Përkundrazi”, ka shkruar nër të tjera Veseli.