Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Haziri i ka reaguar Sekretarit të Përgjithshëm të PDK-së, Uran Ismaili, i cili gjatë ditës kritikoi Qeverinë Kurti për menaxhimin e situatës së pandemisë COVID-19, njofton Llapi.info.
Haziri, nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se kur në krye të Ministrisë së Shëndetësisë ishte Uran Ismaili, kjo ministri nuk ka dhënë specializime, që sipas tij, në Kosovë ka nevojë shumë në këtë kohë për infektiologë, epidemiologë dhe mikrobiologë.
“Teste ka por duhet ta dish se kur duhet të bëhen testet. Sipas OBSH-së testet duhet të bëhen duke u bazuar në faktorët klinikë dhe epidemiologjikë pra janë ekspertët që vendosin për teste e jo KRYEMINISTRI. Prandaj mos i qitë të prishta, se e keni prish krejt qitash”, ka shkruar pos tjerash ai.
Postimi i plotë:
Pash Zotin ku je kanë ma herët, Uran?
Një njeri fliste shumë po qe besa edhe keq. I ishte bërë shprehi, sa herë tregonte diçka, thoshte: – Prisheni po mundët ta prishni.
– Po s’ke çka prish, – i thotë një plak, – se ti, sa herë po flet, të prishta po i qet. Le që po i qesin të prishta por këta e kanë prish qysh moti.
Qe 4 katër vite Ministria e Shëndetësisë nuk ka dhënë specializime që i bie që në Kosovë ka nevojë shumë në këtë kohë për infektologë, epidemiologë dhe mikrobiologë.
Pash Zotin ku ishit deri sot Uran?
Teste ka por duhet ta dish se kur duhet të bëhen testet. Sipas OBSH-së testet duhet të bëhen duke u bazuar në faktorët klinikë dhe epidemiologjikë pra janë ekspertët që vendosin për teste e jo KRYEMINISTRI. Prandaj mos i qitë të prishta, se e keni prish krejt qitash.
Kur të gjithë ekspertët thonë rrini të mbyllur dhe lani duart se mënyra e vetme për ta prerë zinxhirin e bartjes së infeksionit është kjo, këtë po e thotë edhe Kryeministri.
Pra ta dini se të prishta po i qitni sa herë po dilni.