Është shëruar pacienti i tretë nga Podujeva që ishte infektuar me COVID-19. 31-vjeçarja nga Podujeva, e cila kishte rezultuar pozitive më 28 mars e që ishte personi i katërt i infektuar në këtë komunë, pas dy testimeve të fundit ajo ka rezultuar negative.

Epidemiologia në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë, Bedrie Rama, i ka thënë Kohës se rezultatet për këtë paciente i kanë marrë në orën 23:00 të së dielës dhe tash për tash Podujeva nuk e ka asnjë të infektuar me COVID-19.

“Më datën 12.04.2020 është ritestuar për herën e dytë brenda 24 orëve dhe ka rezultuar negative. Dje (mbrëmë v.j.) është shpallë e shëruar”, ka deklaruar Rama, raporton KOHA.

31-vjeçarja ka ardhur para një muaji nga Italia bashkë me tre familjarë tjerë dhe një familje tjetër 3-anëtarëshe. Të shtatë personave u ishin marrë mostrat, por vetëm ajo kishte dalë pozitive.

Rasti i parë që ka rezultuar pozitiv me COVID-19 në Komunën e Podujevës është 62-vjeçari nga fshati Dumnicë e Epërme. Ai kishte ardhur më 5 mars nga Italia, ndërsa fiks pas 10 ditësh (më 15 mars) pas testimit kishte dalë pozitiv. Por, më 27 mars, 62-vjeçari u shërua plotësisht, duke u bërë kështu edhe rasti i parë në Kosovë që shërohet nga koronavirusi.

Por, menjëherë pas tij, të infektuar me këtë virus kanë rezultuar edhe prindi i tij 82-vjeçar (më 17 mars) dhe motra e tij 54-vjeçare nga fshati Bradash (më 18 mars). I pari, më 22 mars ka vdekur në Klinikën Infektive, duke shënuar kështu viktimën e parë në Kosovë nga COVID-19, për dallim nga 54-vjeçarja e cila u shërua më 9 prill. Dhe personi i tretë i shëruar është 31-vjeçarja e cila mbrëmë ka dalë negative në teste.

Ndërkaq, një 31-vjeçare nga Podujeva është në vetizolim në shtëpinë e saj.

Tash për tash, Komuna e Podujevës nuk e ka asnjë të konfirmuar me koronavirus.