Komuna e Podujevës ka reaguar pas lajmit të publikuar se tenderët për uniforma njëpërdorimëshe po i kushtojnë më shumë për gati tre herë në krahasim me disa Komuna tjera të Kosovës, njofton Llapi.info.
Sipas kontratës, një uniformë njëpërdorimshme Komunës së Podujevës i ka kushtuar 15 euro, ku ka porositur 300 të tilla në vlerë totale prej 4 mijë e 500 eurove. Në anën tjetër, Komunës së Deçanit një veshje njëpërdorimshme i ka kushtuar 4 euro. Kjo i bie se Komuna e Podujevës ka paguar për gati tre herë më shumë se ajo e Deçanit.
Në lidhje me këtë lajm sot gjatë ditës ka reaguar edhe Komuna e Podujevës. Mirëpo, në reagim nuk është dhënë as edhe një arsye pse po i kushton aq shtrenjtë furnizimi me këto mjete dhe pajisje mbrojtëse. Komuna e Podujevës nuk ka tentuar as që t’i kontestojë shumat të cilat janë publikuar në kontratën e Prokurimit Elektronik.
Në reagimin e Komunës së Podujevës thuhet se edhe disa Komuna tjera të Kosovës kanë paguar me çmime të njëjta apo më të larta uniformat. Por, në dokumentet e bashkangjitura të komunave tjera nuk thuhet se janë uniforma njëpërdorimshme. Komuna e Podujevës e ka quajtur tendencioz këtë lajm, ani pse të faktuara me kontratë.
“Me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik ju njoftojmë se shkrimi i botuar në portalin kallxo. com me titull “Komuna e Podujevës paguan 15 euro për një uniformë njëpërdorimëshe”, është kryekëput tendencioz dhe i plasuar për motive të ulëta politike. Podujeva është komunë kufitare, ku gendet edhe pika e kalimit kufitar në Merdar, kurs pajisjet mbrojtëse, të përmendura në artikull, janë blerë për furnizim të ekipit mjekësor që kujdestaron në këtë pikë kufitare, për identifikimin e personave që hyjnë në Kosovë, të dyshuar me Covid-19. Bazuar në situatën pandemike blerja e pajisjeve është bërë me procedurë të negocimit dhe secila procedurë është zhvilluar në bazë të sistemit online dhe dokumentet janë të qasshme për publikun”, thuhet në reagim.
“Për hir të korrektësisë ju njoftojmë se me çmime të njëjta, edhe më të larta, pajisjet e njëjta janë blerë edhe në komuna të tjera, madje edhe ato që udhëheqen nga partia që këtë furnizim e përdori për propagandë në kohë pandemie. Në këtë situatë epidemiologjike me të gjitha kapacitetet tona jemi në nivelin e përgjegjësisë, andaj ftojmë të gjithë ata, të cilët për arsye të ndryshme nuk kanë mundësi të ndihmojnë e kontribuojnë në çfarëdo forme, të paktën të pushojnë me propagandë për qëllime të ulëta politike. Nga ditët e para të shfaqjes së pandemisë, veçanërisht nga shpallja e emergjencës shëndetësore, jemi mobilizuar me tërë potencialin dhe mekanizmat që posedojmë për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve llapjanë”, përfundon reagimi i Komunës.
Komuna e Podujevës thotë se me çmime të njëjta, madje edhe më të larta pajisjet e njëjta janë blerë edhe në Komuna të tjera, por në ato s’është cekur se janë njëpërdorimshme./Llapi.info