Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia sot, ndryshe nga postimet e mëhershme kur ka kërkuar respektim të masave ose ka dhënë ndonjë lajm , ka zgjedhur që t’i falënderojë qytetarët dhe të gjithë ata që janë në krye të detyrës në këtë kohë pandemie.
Ai ka thënë se gjendja është duke u monitoruar çdo orë dhe po trajtohet secila vështirësi që paraqitet, derisa ka shtuar se janë duke u përpjekur që t’i përgjigjen secilës pyetje të qytetarëve.
“Më e rëndësishme se kurrë më parë është: angazhimi kolektiv dhe adresimi profesional. Ju faleminderit edhe njëherë. Së bashku edhe njëherë të mobilizuar për të mbrojtur të drejtën absolute, të drejtën e jetës”.
Postimi i plotë i Arben Vitisë në Facebook:
Të gjithë bashkë për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit
Të nderuara qytetare dhe qytetarë,
Sot dëshirojmë vetëm t’ju falenderojmë:
T’ju falenderojmë për bashkëpunimin tuaj duke qëndruar në shtëpi në këto kushte të vështira, ndihmoni realizimin e masave të ndërmarra për të mbrojtur jetën dhe shëndetin.
T’ju falenderojmë ju qytetarë që përbëni efektivin e Policisë së Kosovës.
Ju qytetarë që jeni mjekë, infermierë, epidemiologë, laborantë, mami, si dhe ju që përbëni të gjithë stafin mbështetës.
Ju qytetarë që keni sot përgjegjësinë e lartë të të qenit kryetarë të Komunave, ose të jeni staf i tyre.
Ju qytetarë që realizoni tërë veprimtarinë biznesore, prodhuese e tregtare, që siguroni prapavijën e rezistencës sonë të përditshme.
Ne po e monitorojmë çdo orë gjendjen dhe po trajtojmë me përgjegjësi çdo vështirësi që po paraqitet.
Do të përpiqemi t’i përgjigjemi çdo pyetjeje që do të na vijë prej jush me qartësinë e nevojshme dhe shpejtësi.
Më e rëndësishme se kurrë më parë është: angazhimi kolektiv dhe adresimi profesional.
Ju faleminderit edhe njëherë.
Së bashku edhe njëherë të mobilizuar për të mbrojtur të drejtën absolute, të drejtën e jetës.