Shfuqizohet vendimi për shtesën mujore 500 euroshe për kryeinspektorin e Kosovës

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se ka shfuqizuar të enjten një vendim të ish-ministres Dhurata Hoxha, lidhur me shtesën mujore prej 500 eurosh mbi pagën bazë për Kryeinspektorin e Inspektoriatit të Ministrisë së Drejtësisë.

Sipas Haxhiut, nga ky vendim, kryeinspektori kishte përfituar deri tash rreth 17500 euro. Ajo ka thënë se kjo u bë në mënyrë të paligjshme.

Në një postim në Facebook, Haxhiu ka thënë se vendimin do ta dërgojnë edhe në prokurori.

Në arsyetim të vendimit, Haxhiu ka thënë se kjo shtesë mujore “nuk është paraparë në asnjë dispozitë ligjore apo nënligjore”.