Ministri në detyrë i MBPZHR-së, Besian Mustafa, përmes një video-thirrje me përfaqësuesen e Posaçme të BE-së, Nataliya Apostolova, kanë biseduar për thellimin e bashkëpunimit mes dy institucioneve, në theks të veçantë prioritizimin e sektorit të bujqësisë në Kosovë.

Sipas njoftimit dërguar nga kjo ministri bëhet e ditur se konkretisht është biseduar për nevojën e mbështetjes së sektorit të bujqësisë nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare.

“Konkretisht, u diskutua për nevojën e mbështetjes së sektorit të bujqësisë nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, rivazhdimin e procesit të akreditimit të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë për të ngritur transparencën në ndarjen e granteve dhe subvencioneve, si dhe në ngritjen e kapaciteteve konkurruese të të gjitha njësive të Ministrisë drejt përfitimit dhe implementimit të projekteve në kuadër të IPA III”, thuhet në njoftim.

Mustafa tutje ka falënderuar ambasadoren Apostolova për, siç thotë ai, rolin kyç që ka luajtur Zyra e BE-së në përkrahjen dhe fuqizimin e sektorit të bujqësisë dhe zhvillimit rural në vendin tonë dhe u zotua që ky bashkëpunim do të vazhdojë të thellohet edhe më shumë në të ardhmen.