Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike ka dënuar fuqishëm aktin vandal të dëmtimit dhe djegies së xhamisë në fshatin Vërboc të Drenasit.

Përmes një komunikate thonë se ky akt padyshim kriminal synon të provokojë ndjeshmërinë e besimtarëve, e kjo është e dënueshme në çdo moment, jo vetëm në kohë delikate si kriza shëndetësore që po kalojmë.

Dëmtimin e objekteve të kultit fetar, të cilitdo besimi, MPBAP-ja, e vlerëson gjithnjë si veprime dashakeqe, të cilat dëmtojnë rëndë tolerancën fetare dhe bashkëjetesën në vend.


Me këtë rast, u.d. ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla ka kërkuar angazhim maksimal deri në gjetjen e personave përgjegjës që e kanë kryer këtë vepër, të cilët duhet të dalin para drejtësisë dhe në këtë mënyrë të bëhet zbardhja sa më e shpejtë e këtij rasti.

Sveçla falënderon banorët e fshatit dhe përgjithësisht besimtarët e më gjerësisht qytetarët që janë treguar të përgjegjshëm dhe nuk kanë rënë pre e provokimeve që mund të jenë orkestruar prej qarqeve që kanë interesa në destabilizim e dobësim të shtetësisë së Kosovës.


Për djegien e xhamisë dje ka reaguar kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovcit dhe deputetja e PDK-së nga kjo komunë, Ganimete Musliu.

Ndërsa sot, kryetari i Partisë Fjala, Gëzim Kelmendi, përmes një shkrimi dërguar mediave, i ka reaguar Thaçit e Kurtit.

Ai ka thënë se, heshtja ndaj djegies së xhamisë në nga presidenti Thaçi dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është tregues i qartë se myslimanet dhe objektet fetare në Kosovë konsiderohen ma shumë si industri e votave se sa vlerë dhe pasuri e këtij vendi.

Deri me tani nuk ka reaguar as Bashkësia Islame e Kosovës.