Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Natalia Apostolova, shefat e misioneve të BE-së, ambasadorët e Mbretërisë së Bashkuar, Zvicrës, Norvegjisë, shefi i EULEX-it dhe koordinatori për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara, kanë bërë thirrje për lënien mënjanë të politikës në kohën e shpërthimit të koronavirusit në Kosovë.

Ata po ashtu u kanë bërë thirrje udhëheqësve politikë që të përmbahen nga politizimi i ndihmës së vlefshme dhe të nevojshme ndërkombëtare.

“Në krizën e paprecedentë shëndetësore të COVID-19, ju, populli i Kosovës, po tregoni qëndrueshmëri dhe përgjegjësi. Ndërkohë që të gjithë jemi të pritje të kthimit të planifikuar me kujdes në normalitet, sa më shpejt që të jetë e mundur, këmbëngulja juaj mbetet e domosdoshme për ta zvogëluar ndikimin e shpërthimit dhe për të parandaluar një krizë edhe më të rëndë”, është thënë mes tjerash në deklaratë.

In fighting COVID-19, Kosovo must work in good cooperation with regional partners: saving lives of people should never…

Gepostet von European Union Kosovo am Sonntag, 19. April 2020

Ky reagim vjen dy ditë pasi autoritetet në Kosovë kanë bërë të ditur se Serbia do t’i dhurojë Institutit të Shëndetit Publik në Kosovë 1,000 teste për koronavirus.

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, kjo e fundit deri në ditën e enjte ka pasur gjithsej 600 teste.

Nga koronavirusi i ri në Kosovë janë infektuar 510 persona, derisa 12 pacientë kanë vdekur.

Më qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi, të mërkurën në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.

Bazuar në masat e vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.

Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.

Këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, porse do të shqyrtohen në varësi të rezultateve, jo më vonë se data 30 prill./rel