Qytetarët e Koresë së Jugut kanë filluar t’i rikthehen punës, kurse qendrat tregtare si dhe disa restorante kanë hapur sërish dyert, raporton Reuters.

Masa për distancën sociale ka filluar të hiqet, kjo për faktin se ky vend me sukses ka arritur ta luftojë përhapjen e coronavrusit, transmeton Telegrafi.

Megjithatë Koreja e Jugut ka zgjatur masat kufizuese edhe për 16 ditë, edhe pse shumica prej tyre kanë filluar të zbuten. Numri i të infektuarve të rinj prej kohësh ka rënë nën 20, kurse kryesisht bëhet fjalë për raste që po vijnë nga vendet e tjera.

Shumë kompani që deri vonë kanë praktikuar punën nga shtëpia, kanë filluar të rikthejnë punonjësit nëpër zyra, edhe pse disa po e kanë të pamundur për shkak të kufizimit të lëvizjes nga njëri qytet në tjetrin.

Gjatë vikendit të kaluar, parqet dhe pyjet kanë qenë plotë me vizitorë, kurse qendrat tregtare dhe restorantet kanë filluar ngadalë të hapin dyert për qytetarët.

Koreja e Jugut për dallim nga shumica e vendeve tjera, ka filluar ngadalë t’i rikthehet normalitetit. Edhe ato masa të ashpra kufizuese sa i përket tubimeve fetare, tashmë janë zbutur.

“Jam anëtar i klubit të futbollit dhe këtë të diel për herë të parë kemi luajtur pas dy muajve izolim total”, ka deklaruar 31-vjeçari Kim Tae-Hung që jeton në Seul.

“Derisa luanim, bartnim maska sepse duhet ende të jemi të kujdesshëm kur është në pyetje coronavirusi”, ka shtuar ai.

Këto vendime janë marrë pas shumë konsultave dhe analizave me ekspertë shëndetësore. Ato kanë për qëllim rimëkëmbjen e ekonomisë së Koresë së Jugut që konsiderohet si e katërta më e madhe në Azi.

Në anën tjetër, ministri i Mbrojtjes është duke shqyrtuar edhe zbutjen e masave kufizuese sa i përket udhëtimeve. Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e sëmundjeve në këtë vend, ka regjistruar 13 raste të reja në 24 orët e fundit, derisa një ditë më herët kanë qenë vetëm 8.