Foto Help

Organizata gjermane “Help”, sot ka ndihmuar 119 familje të Lagjes së Dëshmorëve në Balloc të Podujevës me pako ushqimore e higjienike, njofton Llapi.info.

Zyrtarë të kësaj organizate kanë shpërndarë pakot për këto familje në Podujevë, në kuadër të mbështetjes në menaxhimin e situatës ndaj pandemisë Covid-19. Ata janë shprehur se përveç kësaj lagjeje në Podujevë, do t’iu dalin në ndihmë edhe Komunave tjera të Kosovës, gjegjësisht në Mitrovicë dhe Graçanicë.

“Ky është donacion kryesisht i organizatës gjermane “Help”, me fonde të veta, por ka diçka edhe prej donatorëve privatë, të cilët kanë dhënë donacione në këtë rast. Ne e dimë që këto ndihma nuk do të qëndrojnë gjatë, mirëpo sadopak do ta zbus situatën në këtë kohë pandemie, duke e marrë parasysh që shumë prej këtyre familjeve këtu kryesisht janë të punësuar si punëtorë krahu, si punëtorë fizikë dhe të gjitha aktivitetet janë ndërprerë për momentin si dhe të ardhurat për këto familje dhe kjo do të jetë një ndihmë e emergjente dhe sadopak do t’ua zbus situatën”, është shprehur Adem Sylejmani, zyrtar i lart i terrenit pranë kësaj organizate gjermane.

Këto ndihma i ka mirëpritur edhe nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, i cili ka deklaruar se edhe Komuna prej kësaj jave do shpërndaj pako ushqimore dhe higjienike me ndihma që janë të siguruara nga buxheti komunal.

“Secila familje në Lagjen e Dëshmorëve do të merr nga një pako ushqimore në vlerë diku përmbi 44 euro dhe vërtetë është një ndihmesë e mirë për këta banorë”, ka thënë Rudari.

Edhe banorët kanë thënë se këto ndihma janë të mirëseardhura në këtë kohë të pandemisë COVID-19./Llapi.info