Sipas të dhënave të Universitetit amerikan Johns Hopkins, numri i të vdekurve nga koronavirusi i ri (COVID-19) në SHBA në 24 orët e fundit është 1.590, me çka numri i përgjithshëm i rasteve të vdekjes në vend është rritur në 40.690, transmeton Anadolu Agency (AA).

SHBA aktualisht është shteti më i goditur nga pandemia COVID-19, respektivisht ka numrin më të lartë të rasteve të vdekjeve të shkaktuara nga koronavirusi.

Njëkohësisht, sipas të dhënave të universitetit Johns Hopkins, numri i të infektuarve në 24 orët e fundit në SHBA është rritur për 24.499, me çka numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara është rritur në 759.786.

Pas SHBA-ve, numri më i lartë i rasteve të konfirmuara është shënuar në Spanjë (200.210), Itali (178.972) dhe Francë (154.098).

Numri më i madh i rasteve të vdekjes në SHBA janë regjistruar në shtetet New York dhe New Jersey.

SHBA, e cila ka një popullsi prej rreth 330 milionë, deri më tani ka kryer mbi 3.8 milionë teste të COVID-19, ndërsa nga sëmundja janë shëruar gjithsej 70.980 pacientë.

Aktualisht në SHBA janë hospitalizuar gjithsej 115.990 pacientë me COVID-19.