Analisti nga Podujeva, Albinot Maloku, në emisionin “Diplomaticus” në televizionin News 24,
ka thënë se mënyra më e mirë për themelimin e kësaj gjykate do të duhej të ishte me marrëveshje të veçantë mes mazhorancës dhe opozitës, përcjell llapi.info

Sipas tij, një riprocedim me të njëjtën mënyrë dhe të njëjtën përmbajtje të teksit në të vërtetë nuk do të ishte i ndershëm për demokracinë e vendit, sepse dërgohet mesazhi se vendi po përballet me presion.

“Partnerët politike në Kosovë, qoftë të koalicionit apo edhe të opozitës do të duhej të uleshin dhe të arrijnë një marrëveshje sesi të arrihet deri te themelimi i gjykatës speciale. Kjo do të ishte edhe më e shëndetshme. Riprocedimin nuk e shoh në frymën e demokracisë”, ka thënë Maloku.

“Do të ishte më mirë nëse themelimi i gjykatës speciale të arrihej me mirëkuptimin e mazhorancës dhe opozitës që të ishte një marrëveshje e mirëfilltë ku të gjitha palët të uleshin dhe të diskutonin për atë sesi duhet të procedohet në të ardhmen”, ka shtuar ai.

Analisti Maloku është shprehur se që në fillim ka qenë kundër themelimit të gjykatës speciale, por krijimi i saj është një obligim.

“E kam thënë që në fillim se gjykata speciale në Kosovë është ofendim për sistemin e drejtësisë në vend. Tribunali i drejtësisë në Hagë dështoi që ishte mekanizmi kryesor për hulumtimin e krimeve të të gjitha palëve në rajon. Patëm Unmik¬un në Kosovë që po ashtu dështoi, gjithashtu Eulex¬i është në dështim e sipër. Atëherë si është e mundur që një gjykatë speciale të jetë e suksesshme për të hetuar krimet e supozuara të luftës”, ka thënë Maloku./llapi.info