Për të matur ndikimin që masat kufizuese kundër përhapjes së pandemisë Covid-19 kanë pasur në sektorin privat, pesë organizata që përfaqësojnë interesat e biznesit, Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, Këshilli i Investitorëve Evropianë dhe Klubi i Prodhuesve të Kosovës, kanë kryer një anketë të përbashkët, rezultatet e së cilës janë shpërndarë sot tek institucionet e Republikës së Kosovës dhe institucionet financiare ndërkombëtare.
Sipas kësaj ankete, të dhënat e të cilës janë analizuar nga Recura Financials, dhe e cila është kryer me 462 biznese në fillim të muajit prill rezulton se rreth 95% e ndërmarrjeve të anketuara e vlerësojnë krizën e COVID-19 si negative, prej të cilëve më shumë se gjysma e tyre e vlerësojnë si shumë negative.
Në njoftimin për media theksohet se përqindje po aq e lartë është gjetur edhe në vlerësimin e rënies së shitjeve, ku mbi 92% e bizneseve kanë deklaruar se kanë përjetuar zvogëlim të shitjeve si pasojë e masave kufizuese, prej të cilëve rreth 48% kanë raportuar rënie më madhe se 75%, derisa çereku i të anketuarve ka raportuar zvogëlim të shitjeve në normën mbi 50%.
Rëniet e shitjes rezultojnë të jenë në korrelacion të drejtpërdrejtë me aftësinë e ushtrimit të veprimtarisë nga ana e bizneseve, meqë anketa më tej gjen se 83.6% e ndërmarrjeve shprehen se kriza ka zvogëluar aftësinë e tyre për të punuar, me ç’rast 39% e ndërmarrjeve janë mbyllur tërësisht, 30.7% punojnë me kapacitet të reduktuar, ndërsa 13.8% punojnë me orar të shkurtuar. Vetëm rreth 2% e ndërmarrjeve rezultojnë të mos jenë afektuar aspak, ndërsa pjesa tjetër kanë organizuar një pjesë ose të gjitha aktivitetet nga shtëpia.
Mbi 60% e ndërmarrjeve të anketuara besojnë se pandemia COVID19 rrezikon mbijetesën e tyre. Gjetjet tregojnë se më të rrezikuarat ndjehen ndërmarrjet mikro dhe ato të vogla me mbi 65% të tyre që janë deklaruar se u rrezikohet mbijetesa, derisa 44.8% e ndërmarrjeve të mesme dhe 40% ndërmarrjeve të mëdha besojnë se pandemia rrezikon mbijetesën e biznesit të tyre. Sipas sektorëve, më i rrezikuari ndjehet sektori i ndërtimtarisë me 75%, përcjellë nga sektori i shitjes me pakicë (57.3%), prodhimtaria (56.6%) dhe tregtia me shumicë (54.7%).
Për sa i përket numrit të punonjësve, 30% e ndërmarrjeve të anketuara janë deklaruar se kanë zvogëluar numrin e të punësuarve. Sipas madhësisë së ndërmarrjeve, rezulton që më së paku punonjës janë larguar nga ndërmarrjet e mëdha, ku vetëm 10% e tyre kanë larguar deri në 30% të fuqisë punëtore. Ndërsa largimet më të mëdha raportohen në ndërmarrjet mikro dhe ato të vogla ku rreth 13.9% e tyre kanë larguar mbi 50% të të punësuarve.
“Lidhur me aspektet operacionale të ndikuara nga pandemia COVID19, ndërmarrjet raportojnë kryesisht për humbje financiare (78% e respodentëve), mungesë likuiditeti (44%), joefikasitet në punë (40%), humbje të kapaciteteve prodhuese (27%)”, thuhet në kumtesë.
Tutje, theksohet se më pak se 20% e ndërmarrjeve të anketuara shprehen si shumë të kënaqura me qartësinë e vendimeve të Qeverisë për masat kufizuese pas shpërthimit të pandemisë COVID19. Ndërsa për sa i përket vlerësimit të masave të vendosura nga Qeveria për mbështetje të sektorit privat, më pak se 6% e të anketuarve vlerësojnë se masat lehtësojnë në masë të madhe vështirësitë e të bërit biznes krahasuar me një përqindje të ngjashme të atyre që vlerësojnë se masat nuk lehtësojnë aspak vështirësitë e tyre. Në këtë mes, rreth 40% e ndërmarrjeve vlerësojnë se masat lehtësojnë shumë pak vështirësitë operacionale, pasuar nga 21% të tyre që besojnë se masat lehtësojnë mesatarisht vështirësitë e tyre.
Organizatat e biznesit përsërisin zotimin e tyre për të bashkëpunuar me institucionet e vendit për adresim të problemeve me të cilat sektori privat është ballafaquar pas shpërthimit të pandemisë COVID19, ndërsa edhe kjo anketë është dëshmi e këtij zotimi.