Klubet gjermane të futbollit po shpresojnë që të rikthehen garat, edhe nëse kjo nënkupton zhvillim të ndeshjeve pa shikues. Ministri i Shëndetësisë dhe liderët rajonal kanë thënë se ndeshjet mund të rikthehen më 9 maj.

Bundesliga është pezulluar që nga mesi i majit për shkak të shpërthimit të koronavirusit, që ka infektuar më tepër se 143 mijë persona në Gjermani dhe ka lënë të vdekur mbi 4500.

Liderët rajonal të hënën kanë thënë se çdo rinisje do të ishte pa shikues dhe se nuk do të ketë ndeshje para 9 majit.

“Ka sinjale shumë pozitive për vazhdimin e stinorit. Është me rëndësi që t’i përmbahemi me kujdes çdo direktive ligjore dhe mjekësore në mënyrë që të minimizojmë çdo rrezik shëndetësor”, ka thënë shefi-ekzekutiv i Bayern Muenchenit, Karl-Heinz Rummenigge.

Borussia Dortmundi ka mirëpritur lajmin, duke thënë se politikanët janë bindur nga planet e ligës dhe tash mbetet te klubet që t’i përmbahen rregullave.

“Kjo është shenjë besimi nga politika, që nënkupton se mund të luajmë nga 9 maji e tutje. Nëse liga nuk do të kishte një plan mirë të menduar, atëherë politikanët do të kishin marrë vendim ndryshe. Tash kemi obligim për të ofruar të gjitha sipas planit”, ka thënë shefi-ekzekutiv i Borussia Dortmundit, Hans-Joachim Watzke.

Ministri gjerman i shëndetësisë Jens Spahn për gazetën gjermane “Bild” ka thënë se rikthimi më 9 maj do të varet nga rreziku nga infeksioni.

“Me rëndësi është që rreziku nga infeksioni të minimizohet. Do të ishte për miliona tifozë të futbollit nga 9 maji e tutje që të kthehet pak normaliteti, qoftë edhe në stadiume të zbrazëta”, ka thënë Spahn.

Liga e Futbollit të Gjermanisë (DFL) do të takohet të enjten për të shqyrtuar zhvillimet e fundit dhe konsideruar një datë për rinisje. Bayerni gjendet në krye të Bundesligës, me katër pikë epërsi ndaj Borussia Dortmundit, ndërsa deri në fund kanë mbetur edhe nëntë ndeshje.

Liga ka paralajmëruar se shumë klube në dy rangjet e para përballen me një të ardhme të pasigurt financiare dhe disa prej tyre janë në situatë të rrezikshme për jetë nëse nuk rikthehen garat deri në qershor.

Disa shitore gjermane janë hapur sërish këtë javë pas një muaj mbyllje.