Shteti amerikan i Misurit paditi Qeverinë e Kinës dhe Partinë e saj Komuniste për, siç tha, mashtrim të qëllimshëm, që çoi në pandeminë e koronavirusit.

“Qeveria e Kinës e gënjeu botën për rrezikun dhe natyrën ngjitëse të sëmundjes COVID-19, që e shkakton koronavirusi, dhe bëri pak për të ndaluar përhapjen e saj”, tha prokurori i përgjithshëm i Misurit, Eric Schmitt.

“Kina duhet të mbahet përgjegjëse për veprimet e saj”, shtoi ai.

Padia kërkon dëmshpërblime për jetët e humbura, vuajtjet e njerëzve dhe trazirat ekonomike që kanë ndodhur në shtetin e Misurit.

Kina e mohon fuqishëm mosmenaxhimin e krizës.

Rastet e para me koronavirus atje janë shfaqur në fund të vitit të kaluar dhe më pas janë përhapur në gjithë botën.

Mbi 2.5 milionë njerëz janë prekur nga koronavirusi dhe mbi 177,000 kanë vdekur.

Shtetet e Bashkuara kanë numrin më të madh të të infektuarve, mbi 825,000, dhe të viktimave, mbi 45,000./rel