Ministria e Shëndetësisë ka pranuar donacion prej 150.000 eurove, të dedikuara për blerjen e pajisjeve dhe materialeve mjekësore për përballimin e situatës së krijuar me COVID-19.
Sipas njoftimit, ky donacion është bërë me qëllim të ndihmesës së institucioneve të shëndetësisë në përballimin e barrës së shkaktuar nga emergjenca e shëndetit publik Covid-19, përmes llogarisë së dedikuar në Kosovë për Covid-1.
Donacioni është pranuar nga “Novartis Pharma Services Inc.” (Zyra përfaqësuese në Tiranë).
Siç njoftohet nga MSH-ja, ky donacion i dedikohet vetëm blerjes së pajisjeve dhe materialeve mjekësore për përballimin e situatës së krijuar nga Covid-19, sipas kërkesës së SHSKUK-së për nevoja të Klinikës Infektive dhe qendrave të tjera për luftimin e Covid-19.
“Donacioni është bërë sipas një marrëveshjeje të nënshkruar më 21 prill 2020 midis MSh-së dhe ‘Novartis Pharma Services Inc.’, sipas së cilës shuma e dhuruar nuk përmban asnjë detyrim për përfituesin që të përshkruaj, furnizoj, administroj, rekomando dhe/ose të blej produkte farmaceutike Novartis dhe nuk është një shpërblim për ndonjë vëllim, vlerë ose referencë në të shkuarën apo për të ardhmen e biznesit”, thuhet në njoftim.