Jo rrallëherë pusetat e kanalizimit janë problem për banorët e fshatit Balloc të Podujevës dhe jo vetëm, shkruan Llapi.info.
Mungesa e kapakëve të tyre dhe mos rregullimi siç duhet ka bërë që shpesh të ankohen qytetarët. Kësisoj, veturat ka pasur raste që kanë ngecur në të. Me këtë “sfidë” u përball edhe një veturë policore. Sipas pamjeve që banorët e kësaj ane i kanë dërguar në Llapi.info, shihet se edhe vetura e Policisë së Kosovës ka rënë në këtë pusetë në rrugën “Hajdar Kaçanolli” të Ballocit.
Duke marrë për bazë deklaratat e banorëve, puseta ka kohë që është në këtë gjendje, gjersa deri më tani nuk është ndërmarrë diçka në lidhje me meremetimin e saj.
Banorët janë ankuar se me këtë përballen çdo ditë, ndërsa probleme të shumta kanë hasur edhe këmbësorët gjatë dimrit./Llapi.info