Policia ka vazhduar në ndalimin e personave, të cilët nuk i kanë respektuar masat e vendosura nga autoritetet për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, njofton Llapi.info.
Tre persona janë ndaluar edhe në qytetin e Podujevës, dje rreth orës 14:00.
“Podujevë 25.04.2020-14:00. Është raportuar se një mashkull dhe dy femra kosovare, janë takuar në rrugë të cilët nuk e kanë respektuar vendimin e lëshuar nga Qeveria. Të njëjtit me vendim të prokurorit pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt”, thotë Policia e Kosovës.
Për mosveprim sipas dispozitave shëndetësore gjatë pandemisë 28 persona janë ndaluar në Kosovë gjatë 24 orëve të fundit.
Më qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi, më 15 prill në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve. Sipas këtyre masave, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.
Aktualisht në Kosovë janë konfirmuar 731 qytetarë të infektuar me COVID-19, 20 pacientë kanë vdekur, ndërsa 165 janë shëruar./Llapi.info