Në krye të Kuvendit, Vjosa Osmani erdhi pas arritjes së marrëveshjes mes Vetëvendosjes dhe LDK-së. Propozimin për zgjedhjen e saj, e bëri deputetja e VV-së, Fatmire Mullhaxha-Kollçaku.
Por, kryesuesja e legjislativit, njëherësh edhe nënkryetarja e LDK-së, është në mesin e deputetëve që nuk do ta përkrahin formimin e Qeverisë së re, tashmë me një kombinim tjetër, LDK-AAK-NISMA e minoritetet, raporton KOHA.
Albert Krasniqi nga Demokraci Plus, thotë se përkundër rolit më shumë menaxhues të kryetarit, udhëheqja e Kuvendit nga partitë që formojnë Qeverinë e re do ta bënte më të lehtë punën.
Se a do të vazhdojë të jetë kryetare e Kuvendit edhe pas formimit të Qeverisë së re, KOHA që nga dita e enjte ka provuar të ketë qëndrim edhe nga Vjosa Osmani, por nuk ka marrë përgjigje.
Sipas Agnesa Haxhiut nga Instituti Demokratik i Kosovës, janë dy mundësi kur mandati i udhëheqësit të Parlamentit mund të përfundojë më herët, nëse ai ose ajo shkarkohet ose jep dorëheqje.
“Në rastin e parë, kërkesa për shkarkim duhet të iniciohet nga partia/koalicioni që e ka propozuar atë që në këtë rast është Lëvizja Vetëvendosje, dhe për shkarkimin e saj duhen votat e 2/3 të numrit të përgjithshëm të deputetëve. Rasti i dytë është ai i dorëheqjes se Kryetarit/es, që sipas Rregullores së Punës, njoftimi për aktin e dorëheqjes duhet të shkojë paraprakisht për njoftim në Kryesinë e Kuvendit. Pas këtij njoftimi, të drejtën për ta propozuar kandidatin tjetër për Kryetar/e të Kuvendit e gëzon vetëm grupi më i madh parlamentar. Mirëpo, Rregullorja e punës së Kuvendit nuk parasheh afat të caktuar kohor se kur duhet të dërgohet propozimi për kandidatin tjetër. Por deri në zgjedhjen e kryetarit/es tjetër të Kuvendit, këtë post e ushtron nënkryetarja e parë e Kuvendit”, thotë Haxhiu në një përgjigje me shkrim.
KOHA ka kërkuar një përgjigje edhe nga Vetëvendosje, partia që ka të drejtë shkarkimin dhe emërimin e të parit të legjislativit, por të njëjtit nuk janë përgjigjur në interesimin e televizionit.