Javën që lamë pas, presidenti Hashim Thaçi i kërkoi kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa emrin e mandatarit për formimin e Qeverisë së re.

Ndonëse nuk pati publikim të letërkëmbimeve me Mustafën, ashtu siç u veprua me të pesë letrat drejtuar kryeministrit në detyrë njëherësh kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, Zyra e Presidentit të Kosovës lëshoi vetëm njoftim për letrën që Thaçi ia ka dërguar Mustafës.

E pas këtij veprimi, Lëvizja Vetëvendosje paralajmëroi se do ta dërgoj çështjen në Gjykatën Kushtetuese, sapo presidenti t’i formalizojë veprimet e tij me shkresa.


Ndaj këtyre veprimeve të presidentit Thaçi, sot reagoi edhe anëtarja e kryesisë së LVV-së, njëherësh edhe nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci.

Ajo përmes një postimi në Facebook, tha se se Kosova nuk ka fare president dhe se Thaçi është aty vetëm për të shkelur Kushtetutën kundër Vetëvendosjes.

Nagavci shtoi se Thaçi nxitohej t’i dërgonte nga dy letra në ditë kryeministrit në detyrë Albin Kurti, kurse tash po heshtin e po presin.

Edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ditë më parë ka akuzuar presidentin se tejkaloi mandatin e tij kushtetues duke kërkuar mandatar tjetër jashtë partisë fituese. Sipas tij, çdo vendim tjetër është “devijim i vullnetit të qytetarëve”.

E këto veprime të deritanishme të presidentit, po konsiderohen në shpërputhje me Kushtetutën e Kosovës. Kështu ka thënë për Telegrafin, Florent Spahija nga KDI.

“Presidenti e ka obligim që në të shkruar ta kërkojë mandatarin dhe më pas në të shkruar ta dërgoj emrin e tij/saj në Kuvend. Veprimet e deritashme nuk janë në harmoni me Kushtetutën e as aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, kjo pasi që LVV nuk e ka shfrytëzuar të drejtën e saj për dërgimin e emrit apo nuk e ka refuzuar shprehimisht marrjen e mandatit”, ka thënë Spahija.

Ai ka shtuar se nëse vullneti politik është që të respektohet kushtetuta nga Presidenti, atëherë duhet që partia fituese të ndërmarr një nga veprimet e mësipërme që të hap rrugë për veprimet e tjera.

Lidhur me mospublikimin e letrës ku presidenti i kërkon mandatarin LDK-së, Spahija ka deklaruar se Presidenca dhe Kuvendi duhet të jenë transparent në publikimin e letrave që kanë peshë juridike dhe politike.

“Presidenca dhe Kuvendi duhet të jenë shumë transparent në bërjen publike të çfarëdo letre që ka peshë juridike dhe politike në vend”, ka thënë Spahija.

Ndryshe, Telegrafi ka provuar të marrë një deklaratë nga zyrtarët e LDK-së, rreth kësaj çështje, por të njëjtit nuk janë përgjigjur.

Kujtojmë se të enjten që shkoi më 23 prill 2020, LDK në mbledhjen e mbajtur të Kryesisë mori vendim që Avdullah Hoti të jetë kandidat për kryeministër.

Ky vendim i kryesisë u përkrah edhe nga Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, ku nga 124 anëtarë, 115 janë shprehur pro kandidimit të Hotit kurse dy janë shprehur kundër dhe shtatë nuk janë përgjigjur fare.