Vjedhjet po vazhdojnë të jenë dukuri mjaft shqetësuese edhe për qytetarët e Komunës së Podujevës, në këtë kohë kur i gjithë fokusi është në luftimin e pandemisë COVID-19, raporton Llapi.info.
E rastet kur këto vjedhje po janë të rënda nuk po mungojnë. Një e tillë ka ndodhur edhe mbrëmë rreth orës 23:00 në këtë qytet.
Rastin e ka bërë të ditur Policia e Kosovës në raportin e saj ditor. Sipas PK-së, në një shtëpi persona të panjohur kanë depërtuar me forcë, me ç’rast kanë vjedhur stoli ari dhe para.
“Podujevë 26.04.2020-23:20. Ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se person-a të panjohur me forcë kanë depërtuar në brendinë e shtëpisë së tij dhe nga aty kanë vjedhur një sasi stoli ari dhe një shumë parash. Rasti vazhdon të hetohet”, thotë Policia e Kosovës.
Pa dhënë detaje tjera, rasti në Policinë e Kosovës është klasifikuar në kategorinë e incidenteve kriminale, kurse i njëjti është cilësuar si “vjedhje e rëndë”.
Kujtojmë, para rreth një muaji një vjedhje e tillë ka ndodhur po ashtu në Podujevë.