Deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe kryetari i Partisë Liberiane Egjiptiane, Veton Berisha, në një bisedë për gazetën “Epoka e re”, ka bërë me dije votën e tij pro qeverisë se re, e cila pritet të drejtohet nga Avdullah Hoti.

Berisha ka thënë se me LDK-në janë në bisedime për qeverinë dhe se shpreson në unitet politik.

“Ne jemi në negociata dhe jemi pajtuar që ta kemi një qeveri funksionale për shkak të interesave të komuniteti egjiptian që duhet ta ketë përkrahjen e qeverisë. Ne do ta votojmë qeverinë Hoti, përkatësisht koalicionin LDK-AAK-Nisma dhe s’kemi asnjë pengesë apo vijë të kuqe ndaj këtij koalicioni, por me kusht që do të plotësohen edhe kushtet tona dhe marrëveshjet që ne po i negociojmë dhe të arrimë një koordinim të përbashkët”, ka thënë Berisha për gazetën “Epoka e re”.

Ai ka folur dhe për kushtet e tij dhe për objektivat që ka për komunitetin që ai e përfaqëson. “Ne jemi të interesuar të jemi të përfshirë në vendimmarrjen e qeverisë. Kërkesa jonë është ta drejtojmë një ministri dhe pozitat tjera që janë në përputhje me interesin tonë, si dhe investimet që kanë më ndodh, në kuadër të projekti ekonomik dhe gjërat tjera”, është shprehur Berisha.

Ndërsa sa i përket mundësisë që t’i bashkohet grupit parlamentar të LDK-së, ai ka thënë se nuk kanë diskutuar ende.

“Nuk kemi diskutuar ende, për momentin mendojmë që të jemi të pavarur, porse ka kohë të diskutohet. Ne jemi të interesuar me realizuar një marrëveshje si deputet i pavarur”, ka thënë Berisha.

Më tutje, ai ka thënë se komuniteti egjiptian është në gjendje jo të mirë për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19, gjë që sipas tij e ka rënduar edhe me tepër gjendjen ekonomike.

“Izolimi e ka arritur varfërinë në ekstremin më të lartë dhe s’ka ndonjë ndihmë qeveritare të drejtpërdrejt dhe po detyrohemi në forma të tjera t’u dalim në ndihmë, si nga ndihma nga diaspora, shoqata dhe njerëzit që merren me humanitet. Kam kërkuar ndihmë nga qeveria Kurti, e që se kemi marr akoma. Kam frikë që nga kjo situatë e rëndë ekonomike, ata do t’i thyen rregullat e izolimit dhe të dalin për të kërkuar ndihmë për të mbijetuar”, ka thënë ai.

Në këtë bisedë, Berisha ka folur edhe dhe për situatën e krijuar politike, për të cilën ka thënë se shpreson që Albin Kurti do t’i përcjellë rrugët institucionale dhe se s’do të ketë ndonjë plan tjetër, përpos atij kushtetues.

“Zotëri Kurti besoj e ka idenë që veprimet e tij do të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe se besoj që e se ka ndonjë plan tjetër. Dashtë Zoti që ideja të jetë nga kjo rrugë dhe çfarëdo veprimi jokushtetues është i papranueshëm. Ne kemi Kushtetutë dhe kemi ligje”, është shprehur Berisha.

Kurse sa i përket qeverisë së ardhshme, Berisha ka thënë se duhet t’i përfillë nevojat e egjiptianëve dhe t’u jep mundësia e  përfaqësimit.

“Prej qeverisë në ardhshme pres që të respektohen dhe përfillen kërkesat e komuniteti egjiptian  dhe në këtë kohë pandemie të veprohet menjëherë. Jam i interesuar që qeveria ta ketë një plan afatgjatë për komunitetin ton, duke na dhënë më shumë mundësi të shërbejmë, e jo vetëm të marrim shërbime. Pra, të marrim detyra që mund t’i shërbejmë secilit qytetar. Objektivat tona janë zhvillimi, punësimi, infrastruktura, sundimi i ligjit, pasi kemi shumë problem të çështjeve pronësore, mbrojtja e barabartë, si dhe përfaqësimi në mënyrë dinjitoze”, ka thënë Berisha.