I propozuari për kryeministër nga LDK’ja Avdullah Hoti ka bërë të ditur para mediave se përvec me AAK’në janë dakorduar sot gjatë ditës edhe me Listën Serbe. Ai ka thënë se AKR’ja do të jetë pjesë e qeverisë së re, e se sot gjatë ditës përmbyllen koalicionet, shkruan Gazeta Express.

Hoti thotë se është i kënaqur me marrëveshjen që kanë arritur më partitë.

“Jam i kënaqur me marrëveshjen që e kemi arritur me AAK’në dhe partitë tjera. I kemi vendosur kriteret në bazë të cilave ne do të qeverisim së bashku. Të gjithë ata që do të jenë kabinet do t’i përmbushin kushtet e nevojshme. Në ditët e para të qeverisjes do të sjellim marrëveshjen për bashkëqeverisje në Kuvend”, thotë ai.

I propozuari për kryeministër thotë se se dinë saktë se ku gjendet kreu i AKR’së, Behgjet Pacolli.

Pavrësisht reagimeve se AKR’ja nuk do të jetë pjesë e qeverisë së re, Hoti thotë se edhe me ta do të bashkëpunojnë.

“Sot po presim që të përmbyllen marrëveshjet me paritë tjera. Nuk e dimë saktë ku është z.Pacolli, po AKR siç kam thënë dje do të jetë pjesë”, ka shtuar ai.

Hoti ka deklaruar se nuk do të flas për ndarje të posteve, a po shtim të numrit të ministrive, pa u përfunduar nënshkrimi i të gjitha marrëveshjeve.

“Derisa të përmbyllim na lejoni mos të flasim publikisht, me AAK’në i keni pa gjatë ditës do t’i përmbyllim edhe tjerat dhe do t’i prezantojmë para qytetarëve. Me Listën Serbe ka përfundu, do të kenë përbërje qysh kanë pas në qeverinë në detyrë.

Pritjet tona janë që brenda ditës t’i përmbyllim, nëse nuk arrijmë sot i diskutojmë nesër”, shtoi ai.

Sapo të merr postin e kryeministrit, ai ka paralajmëruar bashkëpunim pozitë – opozitë, sidomos në çështjen e dialogut Kosovë – Serbi.

“Unë ju siguroj që do të ketë një komunikim si asnjëherë më përpara në mes të pozitës dhe opozitës, për të lejuar opozitës që të luaj rolin korrektues ndaj qeverisë. Do të kërkojmë mbështetjen e tyre në procese të mëdha siç është dialogu. Ne nuk jemi të ri në këtë çështje, LDK ka një përvojë 30 vjeçare, e kemi bë hapin tonë për të krijuar institucionet, na lejoni pak kohë për t’ju treguar se e kemi shumë seriozisht për të përmbyllur pas sa viteve konsolidimin e shtetit”, ka shtuar ai.

Hoti është shprehur kundër zgjedhjeve të jashtëzakonshme pas pandemisë, siç kanë kërkuar LVV’ja dhe PDK’ja.

“Për aq kohë sa mund të bëhet një shumicë nuk ka nevojë për zgjedhje, ka gatishmëri nga partitë parlamentare që të krijohet kjo shumicë”, tha ai.