Dy qytetarë nga Komuna e Podujevës sot janë testuar për COVID-19 dhe të dy kanë rezultuar negativë, raporton Llapi.info.
Këtë e ka konfirmuar për Llapi.info epidemiologia e QKMF-së në Podujevë, Bedrie Rama.
Rama ka theksuar se 16-vjeçari i cili doli pozitiv para dy dite, pas ri-testimeve dje dhe sot ka rezultuar sërish negativ.
“Sot janë konfirmuar dy qytetarë të Podujevës me rezultat negativë, njëri është i përsëritur, i cili të hënën ka rezultuar pozitiv, dje dhe sot është ritestuar dhe i njëjti ka dal negativ. Ky i fundit tashmë shpallet negativ”, ka thënë Rama.
16-vjeçari nga fshati Llapashticë e Poshtme kishte pësuar aksident me biçikletë gjatë javës së kaluar dhe ishte udhëzuar për në Kirurgji për ndërhyrje. Para operacionit, ai është testuar dhe sipas IKSHPK-së, ai doli të hënën pozitiv.
Mirëpo, familjarë të tij kanë kërkuar dje që të ri-testohet, pasi që siç kanë thënë ata, ai s’ka pasur kontakte me ndonjë të infektuar me virusin korona.
Kërkesa e tyre u është miratuar, teksa gjatë ditës së djeshme doli negativ. I njëjti është testuar edhe gjatë ditës së sotme, e po ashtu edhe sot ka rezultuar njëjtë.
Ndërkaq, epidemiologia Rama ka thënë se gjendja e të prekurve me COVID-19 nga Komuna e Podujevës është stabile.
“Gjendja e nëntë pacientëve nga Komuna e Podujevës është e mirë dhe stabile”, ka deklaruar Rama.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia ka njoftuar se të mërkurën janë konfirmuar edhe 9 raste me koronavirus në Kosovë.
Nëntë rastet pozitive kanë rezultuar pas 225 testimeve që janë bërë nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.
Sipas ministrit Vitia të shëruar nga sëmundja COVID-19, janë regjistruar 17 pacientë duke e çuar numrin e përgjithshëm të të shëruarve në 249. Numri i të prekurve me COVID-19 në Kosovë ka arritur në 799./Llapi.info