Ministri në detyrë i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia, në një konferencë për medie ka bërë të ditur se nga data 4 maj, do të fillojë lehtësimi gradual i masave të izolimit të ndërmarra për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, njofton Llapi.info.

Sipas Vitisë, hapja e kufizimit të lëvizjes do të jetë në 3 faza, e cila nis më 4 maj (e hënë).

Faza e parë përfshin periudhë nga 4 maj deri 18 maj dhe gjatë kësaj kohe do të hapen bizneset si; ndërtimtaria dhe patundshmëria, tregtia e automjeteve, pjesërisht, tregtia me pakicës, pjesërisht, riparimi i artikujve personal dhe i orendive, zyrat e konsulencës.

Vitia ka bërë të ditur se nga 4 maji qytetarët do të mund të lëvizin më shumë, nga 1.5 orë në 3 orë në dy orare, paradite dhe pasdite.

“Arritëm që ta ulim përqindjen e të infektuarve. Falë kësaj, tash mund të zbusim këto masa. Do të kemi ditë të mira me më pak të infektuar ashtu si do të kemi të vështira me më shumë të infektuar, por mbesim me shpresë që masat e reja do të na çojnë përpara e jo mbrapa”, ka thënë Vitia./Llapi.info