Kërkesa e Lëvizjes Vetëvendosje drejtuar Gjykatës Kushtetuese për interpretim të vendimit të presidentit, për dekretim të kandidatit të LDK-së për mandatar po vlerësohet si e drejtë.
Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, në një intervistë për Ekonomia Online tha se Gjykata Kushtetuese mund të vendos gjatë ditës për masën e përkohshme që nënkupton pezullimin e seancës për formimin e Qeverisë së re.
Këto masa sipas Miftarajt do të caktojnë afatin kohor deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese lidhur me kushtetutshmërinë e dekretit të presidentit.
“30 deputetët janë parë të autorizuar për të parashtruar kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për rastin e parë sa i përket masës së sigurisë dhe për të vendosur sipas meritës nëse dekreti i presidentit është në pajtim me Kushtetutën dhe praktikën e Gjykatës Kushtetutës respektivisht aktgjykimin e vitit 2014”.
“Gjykata Kushtetuese ka drejtë qysh sot të vendos lidhur me caktimin e masës së përkohshme që nënkupton pezullimin e mbajtjes së seancës për ditën e nesërme për të formuar Qeverinë”.
“Masa të përkohshme mund të caktoj afat të caktuar kohor deri në marrjen e vendimit meritor të Gjykatës Kushtetuese lidhur me kushtetutshmërinë e dekretit të presidentit”, ka thënë Miftaraj.
Por, Miftaraj theksoi se nëse Gjykata Kushtetuese e konsideron të panevojshme masën e sigurisë, atëherë Kuvendi mund të mbajë seancën për formimin e Qeverisë, raporton EO.
“Nëse Gjykata Kushtetuese sot merr masë të sigurisë të përkohshme lidhur me dekretin e presidentit, atëherë në këtë masë përcaktohet që seanca e Kuvendit të shtyhet për një datë tjetër ose deri në vendimin meritor të Gjykatës Kushtetuese”. “Kuvendi nuk do të mund ta mbajë seancën, nëse Gjykata Kushtetuese konsideron se nuk ka nevojë për masë sigurisë sigurisht që Kuvendi mund të procedoj në formimin e Qeverisë”, u shpreh Miftaraj.